(VIDEO) Kuvendi bullgar me rezolutë për rrugën e RMV-së drejt BE-së

Kuvendi i Bullgarisë miratoi sot një rezolutë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e qasjes drejt BE-së, me shumicë absolute prej 194 votash, ku gjatë votimit nuk u regjistrua asnjë votë “kundër” apo “të përmbajtur”. Rezoluta thotë se Bullgaria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj konsensusit evropian të korrikut 2022 dhe u bën thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut të zbatojnë me përpikëri marrëveshjet që kanë ndërmarrë.
Rezoluta
“Çdo përpjekje brenda formateve dhe institucioneve të BE-së për të rinegociuar, anashkaluar ose injoruar elementët e marrëveshjeve të arritura është e papranueshme”.
Rezoluta gjithashtu thotë se institucionet e BE-së thirren të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të garantuar të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe ato të komuniteteve të tjera, duke përfshirë të drejtën e tyre për të ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë e tyre kulturore dhe historike, gjuhën, kujtesën stërgjyshore dhe identitetin.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev tha se ky vendim dëshmon se Sofja ka konsensus të plotë sa i përket çështjeve të hapura me Shkupin. Ai ka përsëritur se Bullgaria nuk do të tërhiqet nga fakti se kriteret duhet të përmbushet, duke shtuar se nuk ka plan B.
Georg Georgiev, ministër i Jashtëm i Bullgarisë
“Ekziston vetëm një plan – ndryshimi i kushtetutës, përmbushja e kritereve për klasterët, në mënyrë që procesi të mund të ecë përpara. Kjo është ajo që tha edhe kolegu austriak – përdorimi i mjeteve për bisedime, por përmbushja e kritereve, ndryshimi i kushtetutës, gjithçka e përcaktuar në konsensusin e vitit 2022”.
Ministri bullgar u bëri thirrje të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e sistemit evropian të vlerave, vendimeve, institucioneve të zbatojnë rregullat evropiane.
Georg Georgiev, ministër i Jashtëm i Bullgarisë 3:50
“Nuk ka asnjë mënyrë që të jesh në BE nëse nuk dëshiron të sillesh si evropian. Bullgaria nuk do të tërhiqet nga marrëveshjet dhe do të mbështesë ligjin evropian”.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria pritet të zhvillojnë një takim bilateral në nivel të shefave shtetëror gjatë samitit të NATO-s që mbahen muajn tjetër në Hagë. Në takim do të kërkohen zgjidhje për dalje nga situatë e krijuar mes dy shteteve, ndërsa pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të BE-së dhe NATO-s.
Teuta Buçi /SHENJA/