(VIDEO) Kurti: Adresa për trysni duhet të jetë Beogradi, jo Prishtina

(VIDEO) Kurti: Adresa për trysni duhet të jetë Beogradi, jo Prishtina

Kryeministri  I Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se adresa ku duhet të bëhet trysnia sa i përket situatës së krijuar në veriun e Kosovës, është Beogradi që nuk po distancohet nga krimet e Slobodan Milosheviqit, dhe jo Prishtina që sipas tij, është kryeqyteti i shtetit më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Edhe këtë të shtunë, Kurti ka ripërsëritur se protestuesit të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët ditët e fundit në veri, duhet të përballen me drejtësinë në mënyrë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të lira. Thirrjen për shtensionim të situatës në këtë zonë, Kurti e bëri në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Albin Kurti

“Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar, dhe të gjithë qytetarët, shumica shqiptare, komunitetet joshumicë, duhet të çlirohen prej elementeve të ndryshme që kanë ideologji ekstremiste dhe bëjnë sulme të dhunshme ndaj shtetit tonë dhe organeve të tij. Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesave e komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë asete të Republikës së Kosovës. Gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”.

Zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë Finer gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa që synojnë de-përshkallëzimin e situatës. Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë sot se dhuna në veri mund të ishte shmangur, gjersa i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për de-përshkallëzimin e situatës.  Borrell në një deklaratë për media kërkon që Kosova sa më parë që të jetë e mundur të mbajë zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit, duke thënë se presin që edhe serbët të marrin pjesë, gjersa për Serbinë shpreh vetëm shqetësimin për ngritjen e nivelit të gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe. /SHENJA/

 

MARKETING