(VIDEO) Kundërshtohet “Parada e Krenarisë”, Saliu: Jemi për të mbrojtur familjen tradicionale

Deputetja e Alternativës Imërlije Saliu nëpërmjet një konference për media ka reaguar lidhur me “paradën e krenarisë” e cila do të mbahet ditën e sotme në kryeqytet. Ajo thotë se kjo paradë që për disa është simbol lirie, ata konstatojnë se për shumicën dërrmuese të qytetarëve ajo përfaqëson një paradë që bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar familja tradicionale shekullore.
MARKETING
IMËRLIJE SALIU, DEPUTETE E ALTERNATIVËS
“Alternativa, si përfaqësuese e një filozofie politike që buron nga realiteti i familjes tradicionale e riafirmon bindjen e palëkundur për t’i mbrojtur dhe kultivuar vlerat e familjes shqiptare, një strukturë që ka qenë themeli i identitetit tonë kombëtar, i edukimit të brezave dhe i qëndrueshmërisë së shqiptarëve në rajon.”
Saliu thotë se Alternativa është e vendosur që shoqëria jonë të ecë përpara mbi baza të shëndosha morale, kulturore dhe historike, jo mbi modele që nuk kanë lidhje me realitetin tonë shoqëror dhe që shpesh vijnë të imponuara përmes presioneve ideologjike dhe politike. Ajo akuzon qeverinë e kaluar që në kohën e tyre vazhdimisht i kanë mbështetur paradat e tilla.
IMËRLIJE SALIU, DEPUTETE E ALTERNATIVËS
“Nuk duhet të harrojmë që kjo që ndodh sot është peshqesh edhe i nomenklaturës së kaluar politike, e cila edhe pas më shumë se dy dekadash në pushtet nuk ofroi as vizion e as moral politik. Në vend që të ndërtonte shkolla moderne, spitale funksionale dhe të hapte vende pune, ajo zgjodhi të zbrazë lagjet tona nga shpresa dhe t’i mbushë me kazino, bastore dhe vende degjenerimi”.
Ajo ka vlerësuar se shqiptarëve u duhet një politikë që i jep prioritet familjes, edukimit të fëmijëve, sigurisë në lagje dhe zhvillimit ekonomik. “Shqiptarët nuk kanë nevojë për parada. Ata kanë nevojë për dinjitet, për një shtet që i respekton, për një sistem që nuk i tall e që nuk i përdor për agjenda ditore e për pikë të ulëta politike”, tha Saliu.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/