(VIDEO) Kufizohen çmimet e 11 frutave dhe perimeve, nga e mërkura nuk ka speca mbi 90 denarë
Qeveria ka miratuar sot vendimin për ngrirjen e çmimeve të 11 llojeve të pemëve dhe perimeve. Vendimi që përfshin disa lloje të perimeve do të jetë i vlefshëm nga 5 prilli deri në fund të këtij muaji.
Siç njoftoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, domatet e freskëta do të kushtojnë maksimumi 70 denarë, kastravecat 75, qepët 60, lulelakra 70, specat 90, fasulet 75, thjerrëzat 110, bananet 70, portokallet 55, limon 55 denarë.
KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Në kuadër të vendimit kemi përfshirë 11 produkte edhe atë domatet të cilat nuk mund të shiten më shumë se 70 denarë, trangujt e freskët të cilët nuk mund të shiten më shumë se 75 denarë, qepët më shume se 60 denarë nuk mund të shiten, specat më shumë se 90 denarë nuk do të mund të shiten, Fasulja nuk mund të shiten më shumë se 75 denarë, thjerrëzat më shumë 110 den. nuk mund të shitet gjatë muajit prill, bananet 70 denarë, portokalli 55 denarë, mandarinat 60 denarë si dhe limonët 55 denarë”
“I siguroj qytetarët se sipas të gjitha analizave çmimet, sidomos të produkteve ushqimore dhe energjetike, janë plotësisht të stabilizuara dhe kanë një tendencë rënëse, të uljes”, theksoi Bekteshi. Megjithatë, tha ai, do të priten të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave, të cilat duhet të publikohen më 7 prill. Ministri u bëri thirrje tregtarëve që të respektojnë vendimin. Nga analizat rezultoi, nënvizoi ministri, se kishte marzhe të mëdha për këto produkte, të cilat arritën në 200-250 % në muajin mars. Bekteshi shtoi se nga fillimi i muajit maj, pas daljes në treg të produkteve vendase, rritja e konkurrencës do të ulë në mënyrë drastike çmimet e ushqimeve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/