(VIDEO) Kryetari i Kuvendit të Turqisë mbajti fjalim para studentëve të UT-së

(VIDEO) Kryetari i Kuvendit të Turqisë mbajti fjalim para studentëve të UT-së

Në Universitetin e Tetovës (UT) është organizuar konferenca me titull “Në kërkim të një sistemi të ri global”, ku morën pjesë kryeparlamentari i Turqisë, Numan Kurtulmush, rektori i UT-së prof. dr. Jusuf Zejneli, ambasadori i Türqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, politikanë, akademikë, përfaqësues të institucioneve vendase dhe turke në vend, studentë dhe të ftuar të tjerë. Në fjalën e tij, i cili ju drejtua të pranishmëve, Kurtulmush përmendi sfidat me të cilat po përballet bota, si ndryshimet klimatike, pabarazia midis kombeve dhe luftërat. Ai tha se bota nuk mund të pësojë ndryshim drejt një sistemi më të drejtë dhe luftërat nuk mund të ndalen përderisa në rendin aktual botëror dominojnë një numër i vogël shtetesh, duke përmendur të drejtën e vetos të pesë vendeve anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

NUMAN KURTULMUSH, KRYETAR I KUVENDIT TË TURQISË

Ajo që e thekson në çdo rast president ynë Rexhep Taip Erdoğan, që bota është më e madhe se pesë, nuk është vetëm një kërkesë politike, por kërkesë për drejtësi, është një thirrje për drejtësi. Bota nuk është një vend që duhet administruar nga ajo që thonë vetëm pesë vende”.

Agresioni i Izraelit, gjenocidi dhe krimet sistematike të luftës në Gaza na tregojnë edhe një herë se të drejtat themelore të njeriut janë minuar”, u shpreh tha kryeparlamentari turk, ndërsa nënvizoi katër parime që janë të nevojshme për një rend të duhur botëror.

NUMAN KURTULMUSH, KRYETAR I KUVENDIT TË TURQISË

Duhet një përpjekje e rëndësishme që sistemi i ri të ndërtohet mbi katër parimet themelore, drejtësia, inkluzioni, pjesëmarrja dhe konsistenca. Turqia e sheh veten si pjesë e pandashme e rajonit të Ballkanit. Të gjithë popujt këtu ne i shohim si anëtarë të familjes sonë. Ne do t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të ngushta me të gjithë popujt e rajonit të Ballkanit”.

Ndërkaq, rektori Zejneli tha se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe se si dy shtete anëtare të NATO-s ndajnë një vizion të qartë për stabilitetin, vizionin, qetësinë e paqen.

JUSUF ZEJNELI, REKTOR I UNIVERSITETIT TË TETOVËS

Ne ndihemi të lumtur që kultivojmë një bashkëpunim shumë real dhe frytdhënës, praktik me një numër të madh të universiteteve nga Republika e Turqisë dhe natyrisht që besojmë se ky bashkëpunim me universitetet e Turqisë do të jetë në rritje edhe në vazhdimësi falë prezencës edhe të kryetarit të parlamentit të Republikës së Turqisë”.

Kryeparlamentari turk Kurtulmush, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, pas konferencës së mbajtur në Universitetin e Tetovës, vazhdoi më pas në Xhaminë e Larme, ku edhe fali namazin e drekës.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING