(VIDEO) Kryetari i Koçanit: Toshkovski ka përgjegjësi morale

“Mua më irriton përgjegjësia morale. Nuk pamë asnjë përgjegjësi morale nga askush, për tragjedinë që ndodhi në diskotekën Puls”. Kështu shprehet për REL, ushtruesi i detyrës kryetar i komunës së Koçanit Venko Kërstevski. Përgjegjësi më të madhe morale sipas tij ka Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski.
MARKETING
Venko Kërstevski, kryetar i Koçanit
“Në këtë situatë konkretisht, ministri i Punëve të Brendshme. Unë nuk them që ai është përgjegjës për formalitetin ligjor, por ai ka një përgjegjësi, si ministër për një vit, të paktën të jetë një shembull pozitiv politik se përgjegjësia morale duhet të fillojë të mbahet në një moment të caktuar”.
Ndërsa u shpreh i zhgënjyer edhe nga kryeministri Mickoski i cili siç tha, ende nuk ka shkuar në Koçan.
Venko Kërstevski, kryetar i Koçanit
“Unë jam i zhgënjyer që ende, sidomos kryeministri nuk ka ardhur në Koçan. Disa herë e kam thirrur personalisht, që dera e komunës së Koçanit për të është e hapur, sepse ai është kryeministër i të gjithë qytetarëve të këtij shteti dhe vetëm me ndihmën e pushtetit qëndror ne mund ta ngrejmë Koçanin dhe ato e kanë për detyrë që qytetin tonë që ta ndihmojnë”.
Ai kritikoi paraardhësin e tij Lupço Papazov, i cili siç thotë nuk pati guxim të dal para qytetarëve, por dha dorëheqje përmes nëj statusi në facebook. Ndërsa kritikoi edhe deputetin e VMRO-DPMNE-së nga Koçani, Mile Lefkov, i cili, sipas tij, nuk ka marrë pjesë në asnjë marshim të familjarëve të viktimave, edhe pse ishte profesor i shumë prej viktimave.
Ndërkohë, për të 11 herë familjarët e viktimave të shtunën marshuan nëpër Koçan. Ata përsëri, kërkuan përgjegjësi nga autoritetet lokale, nga inspektorët, duke theksuar se nuk janë të kënaqur me aktakuzën në të cilën 34 individë dhe tre persona juridikë shihen si përgjegjës për tragjedinë.
Emine Ismaili /SHENJA/