(VIDEO) Kryeparlamentari shtrohet në spital, gjendja e tij është stabile

Kryeparlamentari Afrim Gashi që nga mbrëmja e djeshme qëndron i shtrirë në Klinikën për Kirurgji Digjestive, si pasojë e një komplikimi shëndetësor. Në një prononcim për media, drejtori i klinikës Ognen Kostovski ka deklaruar se bëhet fjalë për ngatërrim zorësh dhe se është problem që mund të zgjidhet me trajtim konservativ dhe se deri në këtë moment, nuk kanë marrë vendim për operim.
OGNEN KOSTOVSKI, DREJTOR I KLINIKËS PËR KIRURGJI DIGJESTIVE
“Është pranuar në klinikën tonë dhe po trajtohet në mënyrë konservative. Po e ndjekim gjendjen shëndetësore dhe deri tani nuk kemi marrë vendim për operacion. Bëhet fjalë për ngatërrim të zorrëve, por duket si diçka që mund të zgjidhet me trajtim konservativ”
Në deklaratën e tij, Kostovski ka theksuar se Gashi do të mbahet në spital deri në momentin e shërimit të plotë.
Për gjendjen shëndetësore të kryeparlamentarit me qëndrim zyrtar kanë dalë edhe nga kabineti i Gashit nga ku thonë se Gashi aktualisht është në gjendje stabile dhe se për momentin po kryhen ekzaminime të hollësishme mjeksore
KUVENDI I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT
“Lidhur me informacionet e publikuara për gjendjen shëndetësore të Kryetarit të Kuvendit, z. Afrim Gashi e informojmë opinionin se dje është hospitalizuar në Klinikën për Kirurgji Digjestive. Gjendja shëndetësore e z.Gashi është stabile dhe për momentin po kryhen ekzaminime të hollësishme mjekësore. Për të gjitha informacionet tjera lidhur me gjendjen shëndetësore të kryeparlamentarit do të ju njoftojmë me kohë”.
Deri më tani, dihet vetëm se gjendja shëndetësore e Gashit është stabile, megjithatë nuk dihet se si do të ndikojë kjo në punën e Kuvendit, nëse seancat plenare do të anulohen për të pritur shërimin dhe kthimin e Gashit, apo të njejtat do të udhëhiqen nga nënkryetarët e Kuvendit.
Mevludin Imeri /SHENJA/