(VIDEO) Kryeministri “pishman” për deklaratën për regjistrimin

Kryeministri Hristijan Mickoski sot e përmirësoi Hristijan Mickoskin e ditës së djeshme. Nga foltorja e Kuvendit një ditë më parë propozoi që të bëhet regjistrim i jashtëzakonshëm elektronik i popullsisë vitin e ardhshëm, por këtë e kushtëzoi që të pranohet propozimi i tyre për një njësi zgjedhore. Ndërsa, sot thotë se regjistrimi i rregullt i popullsisë duhet të bëhet në vitin 2031 dhe 32, por mund të bëjnë regjistrim tjetër ndërkohë, nëse “dikush” referuar deputetëve të opozitës, po dyshon në regjistrimin e vitit 2021.
MARKETING
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Regjistrimi i rregullt duhet të ndodh në dy vitet e para të fillimit të dekadës. Në mënyrë statistikore regjistrimi bëhet në fillim të dekadës, që don të thotë në vitin 2031, 2032. Por, nëse dikush dyshon dhe ka vullnet politik, sepse në fund të ditës, procedura votohet në Parlament, atëherë mund ta bëjmë tani, sepse dikush përsëri po tenton të keqpërdor ndjenjat e qytetarëve me porosi politike, ndërsa ky është operacion statistikor”.
Dyshime në të dhënat e regjistrimit të fundit ka hedhur edhe zëvendës kryeministri Izet Mexhiti. Ai në Facebook, ka nisur publikimin e siç i ka quajtur “informacione të tmerrshme”, për regjistrimin e vitit 2021. Nga ky regjistrim, thotë Mexhiti, në Reçicë të Vogël ka mungesë të mbi 3.500 banorëve të regjistruar.
Izet Mexhiti, zv/kryeministër
“Sipas regjistrimit të vitit 2021, realizuar nga kuadrot e selisë BDI, në Reçicë të vogël janë regjistruar gjithsej 1.653 banorë shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, kurse vetëm në zgjedhjet Parlamentare të vitit të kaluar, në Reçicë të Vogël, partitë shqiptare gjithsej kanë arritur 2402 vota shqiptare. Pa i analizuar banorët që nuk kanë dalë në votime dhe ato nën 18 vjeç, në Reçice mungojnë 800 banorë”.
Ndërsa në shpalosjen e këtyre informacioneve një ditë më parë, Mexhiti shkroi se në fshatin e pestë më të madh të Komunës Saraj, në Gërçec, siç u shpreh ai, patriotët e BDI kanë regjistruar vetëm 36 banorë, me 0 jorezident!
Përndryshe, një ditë më parë Gjykata Kushtetuese shfuqizoi metodologjinë e përdorur në regjistrimin e fundit për popullsisë rezidente dhe jorezidente.
Emine Ismaili /SHENJA/