(VIDEO) Krerët shtetëror dhe partiak urojnë Fitër Bajramin

Urime të shumta për Festën e Fitër Bajramit kanë përcjellur edhe krerët shtetërorë dhe partiak. Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, ka dërguar një mesazh urimi për qytetarët e besimit islam, duke uruar që ditët e festave të kalojnë në harmoni dhe mirëqenie, të mbushura me gëzim dhe lumturi, ndërsa ka përmendur edhe rastin e fundit tragjik që ndodhi në Koçan, mu në muajin e Ramazanit.
GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA, PRESIDENTE
“Këtë vit, në muajin e shenjtë të Ramazanit, muajin e agjërimit, lutjes dhe faljes, na goditi një tragjedi e paparë që na tronditi si komunitet dhe si individë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarve. Pavarësisht përkatësisë fetare, etnike apo çfarëdo tjetër, të gjithë solidarizohemi së bashku”.
Qoftë kjo ditë një burim gëzimi dhe paqeje për ju dhe familjet tuaja, duke dhuruar sa më shumë dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet. Kështu thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.
AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR
“Prandaj, duke lënë pas muajin e Ramazanit, le të dalim me zemër të pastër dhe më shumë gatishmëri për të ndihmuar ata që kanë nevojë, si dhe për të kontribuar në forcimin e unitetit, tolerancës dhe harmonisë shoqërore”.
Kryeministri Hristijan Mickoski, të gjithë qytetarëve të besimit islam u ka dëshiruar shëndet, gëzim, lumturi, paqe dhe qetësi në familjet e tyre.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Qeverisë të gjithë qytetarëve të besimit islam t’ju uroj festën e Ramazanit të Bajramit dhe t’ju uroj shëndet, gëzim, lumturi, paqe dhe qetësi në familjet tuaja. Ramazan Bajrami është një festë solidariteti dhe humaniteti, e cila i mëson të pasurit të përmbahen nga komoditetet personale dhe të mos harrojnë të varfërit dhe jetimët”.
Urime për këtë festë kanë dërguar edhe kryetarë të partive politike. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në urimin e tij ka theksuar rëndësinë e paqes, tolerancës dhe bamirësisë.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SW
“Në këtë moment të veçantë, le të përkujtojmë vlerat themelore të fesë sonë – paqen, tolerancën dhe bamirësinë – që na mundësojnë të ngremë dorën e pajtimit dhe solidaritetit ndaj njëri-tjetrit. Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të kujdesemi për ata që janë në nevojë, duke u bërë shembuj të mirësisë dhe bashkëpunimit”.
Ashtu si agjërimi na mësoi durimin, vetëpërmbajtjen dhe përkushtimin, edhe përpjekja jonë e përbashkët për të mirën e përgjithshme kërkon përkushtim, durim dhe sakrificë, thuhet ne mesazashin e zv/kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE
“Në këtë muaj kemi punuar së bashku, jo vetëm për forcimin e besimit tonë, por edhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët, për të kapërcyer sfidat që u perballëm me maturi dhe për të forcuar themelet e një të ardhmeje më të drejtë dhe më të bashkuar”.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se kjo festë e shenjtë na kujton vlerat themelore të respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe humanizmit.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Në frymën e këtyre vlerave, së bashku mund të kapërcejmë të gjitha sfidat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë dhe qytetarët e tij.Maqedonia e Veriut është shembull i bashkimit, të jetuarit së bashku dhe respektimit të diversitetit, dhe kjo është pikërisht ajo që e bën atë më të fortë dhe më të pasur”.
Ndërkaq, nuk kanë munguar urime për Festën e Fitër Bajramit as edhe nga kryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe Arben Taravarit.
ZIADIN SELA, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Një muaj i tërë na mblodhi rreth tryezës së përbashkët, me dashuri dhe mirënjohje për kafshatën e gojës dhe praninë e më të dashurve që kemi. Na bëri ta provojmë durimin dhe ta ndiejmë thellë kuptimin e sakrificës. U lutëm për vete dhe për ata që munguan në sofrat tona. Sot uroj të kremtojmë së bashku me zemrën plot! Agjërim të pranuar dhe lutje të pranuara për të gjithë!”.
ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Uroj që secili nga ne të kuptojë qartë që në këtë botë jemi të gjithë kalimtarë, të vdekshëm, ndaj le të jemi të mirë me njëri tjetrin sepse jemi bashkë për një kohë të shkurtër! Gëzuar Fitër Bajramin”.
Me anë të video mesazheve, urim për të gjithë qytetarët e fesë islame kanë përjellur edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe ai i Alterantivës, Zeqirja Ibrahimi.
BILALL KASAMI, KRYETAR I LËVIZJES BESA
“Festa bëhet akoma më e hareshme kur vjen pas një muaji të gjatë agjërimi ku Ramazani na ka obliguar me kufizime që synojnë një kalitje shpirtërore dhe forcimin e solidaritetit shoqëror. Ju uroj agjërim të pranuar juve dhe familjeve tuaja”.
ZEQIRJA IBRAHIMI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Nëse agjërimin e muajit të Ramazanit e krahasojmë me një vepër të bukur artistike, Bajrami është pikërisht katarza në të cilën shpirti gufon me emocionin e fuqishëm të dashurisë dhe ndjenjën e bukur të ngadhënjimit”.
Ndërkohë, urime për Festën e Fitër Bajramit kanë dërguar edhe kryetari i Lëizjes Populli, Skener Rexhepi dhe ai i Partisë Demokratike Europiane, Arjani Hoxha.
Samir Mustafa /SHENJA/