(VIDEO) Krerët qeveritarë komentojnë dështimin e tenderit të hidrocentralit të Çebrenit

(VIDEO) Krerët qeveritarë komentojnë dështimin e tenderit të hidrocentralit të Çebrenit

Dështimin e tenderit për ndërtimin e hidrocentralit të Çebrenit, e ka komentuar sot ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova. Ajo sqaroi se në përputhje me dokumentacionin e tenderit, derisa garancia bankare ishte aktive, ofertuesi duhet të kishte nënshkruar marrëveshje për sipërmarrje të përbashkët me Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe kjo nuk është bërë.

KAJA SHUKOVA, MINISTRE E MJEDISIT JETËSOR DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR

“Në këto kushte kompania greke Arhirodon nuk siguroi fonde nga bankat që ato ta ndërtonin. Garancia bankare prej 1.4 milionë euro nuk do të aktivizohet. Duke qenë se nuk kemi marrë asnjë informacion të mëtejshëm nga kompania, garancia bankare nuk është më aktive dhe oferta nuk vlen. Kompani greke vendosi disa kushte, pasi me ato aktualet, siç sqaruan ata, nuk kishin mundësi të mira për të siguruar fonde nga bankat për të ndërtuar hidrocentarlin e Çebrenit, por qeveria nuk mundi të pranonte kërkesat shtesë që nuk ishin pjesë e tenderit”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur lidhur me këtë tha se nuk mund të komentojë vendimet e subjekteve private.

Në datën 14 shtator 2023, Kompania greke Arhirodon u zgjodh si ofertuesja më e favorshme në tenderin e 14-të për ndërtimin e hidrocentralit të Çebrenit. Më pas kishte vërejtje për thirrjen publike dhe kompania kishte kohë deri në fund të vitit 2023 për të vendosur nëse do të vazhdonte projektin. Fillimisht, vendimi ishte paraparë të merrej deri më 14 dhjetor, por Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka shtyrë afatin deri më 31 dhjetor 2023 për shkak të procedurës së ankimimit në vazhdim.

Deri më tani në 20 vitet e fundit ka pasur 13 tendera të pasuksesshëm dhe thirrja e fundit publike, para atij aktual, është publikuar në vitin 2016.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING