(VIDEO) Krerët e shtetit me urime dhe porosi për 24 majin, të ndërtohet shoqëria e dijes

Sot në vend shënohet 24-maji, dita e vëllezërve Shën Kirili dhe Metodi, të cilët njihen si iluministë sllavë, përpiluesit e alfabetit të parë të gjuhëve sllave. Presidentja e vendit Gordana Davkova Siljanovska në urimin e saj apeloi që të ruhet kujtimi për Shën Kirilin dhe Metodin dhe të ndërtojmë një shoqëri të dijes dhe respektit të ndërsjellë.
MARKETING
GORDANA SILJANOVSKA DAVKOVA, PRESIDENTE
“Kjo ditë është një kujtesë e fuqishme e vlerës së qëndrueshme të misionit të tyre, një vlerë rrënjët e së cilës shtrihen thellë në kulturë, dije dhe unitet shpirtëror. Shenjtorët Kirili dhe Metodi jo vetëm që na dhanë alfabetin por me të ndërtuan një themel të fortë kulturor dhe qytetërues pansllav që vazhdon të mbështesë identitetin tonë edhe sot e kësaj dite”.
Kryeparlamentari Afrim Gashi në urimin e tij tha se në këtë ditë nderohet përkushtimi dhe trashëgimia e tyre në përhapjen e dijes, shkrimit dhe kulturës ndër popujt slave.
AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR
“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e arsimit, gjuhës dhe respektit për diversitetin kulturor në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Urime të gjithëve këtë ditë me vlerë historike dhe arsimore”.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se nderimi i vëllezërve Kirili dhe Metodi është dëshmi se misioni i tyre fisnik vazhdon të bashkojë edhe sot.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Këta dy vëllezër, fisnikë në zemër dhe mendje, na lanë dhuratën më të madhe — shkrimin, shkronjën , zërin e identitetit tonë. Mos të harojmë se pas saj më të mëdhenjtë e kanë shkruar vlerën që këta vëllezër na e kanë lënë. Për më shumë se një mijëvjet, ajo ka qenë drita jonë përmes të gjitha vështirësive, përmes të gjitha sfidave dhe pengesave të jetës që I tejkalojmë . Gjuha është vlerë themelore dhe gjuha jonë ka filluar pikërisht nga ata”.
24 maji, dita e Shën Kirilit dhe Metodit në vend është ditë feste dhe ditë jopune për të gjithë qytetarët.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/