(VIDEO) Krerët e shtetit dhe të politikës: Marrëveshja e Ohrit tregon se shteti është i të gjithëve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në seancën solemne me rastin e 24-vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, theksoi se ky pakt pavarësisht të gjithave, solli paqe dhe ruajti karakterin unitar të shtetit. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit është dëshmi se Maqedonia e Veriut, mund të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve.
HRISTIJAN MICKSOKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Marrëveshja Kornizë nuk është vetëm letër, është simbol i pjekurisë, guximit dhe mençurisë. Është përkujtim se sado që të jemi të ndryshëm në gjuhë, fe dhe kulturë ose përkatësi etnike, të gjithë ne ndajmë një histori dhe një të ardhme të përbashkët. Është dëshmi se Maqedonia mund të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve dhe se dallimet janë përparësia jonë”.
Në këtë seancë, fjalim mbajti edhe zv/kryeministri, Izet Mexhiti, i cili tha se 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, nuk e kujtohet vetëm një dokument që i dha fund një konflikti, por tha se kujtohet një vizion politik dhe institucional mbi të cilin ndërtohet shteti modern për të gjithë.
IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Marrëveshja e Ohrit është themeli mbi të cilin zhvilluam një qasje të re për ndërtimin e shtetit. Një qasje që e sheh barazinë, përfshirjen dhe të drejtat si elemente të pandashme të funksionimit demokratik. Sot, politikat tona qeveritare bazohen pikërisht në këtë frymë – të krijojmë një shtet që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje apo përkatësie politike”.
Ndërkaq, porosi për shënimin e Marrveshjes së Ohrit dha edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Ai përmes një viedo të shpërndarë në rrjetet sociale, tha se bashkë kanë ndryshuar kushtetutën dhe miratuan pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe rregullimin e zbatimit të gjuhës shqipe, flamurin kombëtar, arsimin sipëror, përfaqësimin e drejtë dhe shumë ligje të tjera.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Të gjitha të arriturat në 24 vitet e kaluara i bëmë bashkë, edhe me VMRO-në edhe me LSDM-në, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Këto të arritura janë vet shteti, janë themeli i stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së vendit tonë. Prandaj, revizion i të arriturave të përbashkëta nuk na lejohet neve që jemi autorë, firmëtarë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit”.
Ahmeti tha se kontributi i tyre në shtet , ka rezultuar me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, anëtarësim në NATO, si dhe nisje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nga Marveshja e Ohrit, kreu i integristëve tha se të gjithë kanë fituar, e askush nuk ka humbur.
Samir Mustafa /SHENJA/