(VIDEO) Krerët e shtetit dhe të partive politike urojnë Ditën e Alfabetit

(VIDEO) Krerët e shtetit dhe të partive politike urojnë Ditën e Alfabetit

Krerët shtetëror dhe partiak kanë uruar 22 nëntorin-ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku në vitin 1908,  Kongresi i Manastirit standardizoi alfabetin e gjuhës shqipe, ndërsa  në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, 22 nëntorin e ka cilësuar si  datë  të rëndësishme për shqiptarët, por edhe për shtetin e Maqedonisë së Veriut.

GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA,PRESIDENTE E MAQEDONISË SË VERIUT

“Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm akt i reformës gjuhësore, por edhe simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm. Gjuha krijon një hapësirë ​​për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare. Përmes saj, diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet një mundësi për rritje individuale dhe kolektive”.

Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe e kujtojmë dhe nderojmë në këtë moment historik, që shënon përfundimin e Kongresit të Manastirit dhe mishëron identitetin e popullit shqiptar. Kështu thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

AFRIM GASHI,KRYETAR I KUVENDIT

“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik, ndërsa angazhohem për të siguruar që ajo të trajtohet me barazi dhe respekt në çdo nivel të jetës institucionale dhe shoqërore”.

Ndërkaq,kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka theksuar se Vendimi i Kongresit të Manastirit nuk ishte vetëm gjuhësor, por edhe kulturor.

HRISTIJAN MICKOSKI,KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Në këtë frymë, Dita e Alfabetit Shqip është një kujtim sesi shkrim-leximi dhe edukimi mund të jenë ura lidhëse mes njerëzve. Jo temat që na ndajnë, jo kërkesat politike të individëve që shumë vite më parë fshiheshin pas njerëzve që vidhnin. Një fokus i qartë në prioritetet, në nevojat reale për arsim, ekonomi dhe progres na ndihmon të kapërcejmë dallimet, të ndajmë vlerat tona dhe të ndërtojmë një komunitet më të fortë e më të bashkuar”.

Duke bërë thirrje për festë, urim ka përcjellë edhe zv/kryeministri dhe njiherit edhe njëri ndër krerët e VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili tha se alfabeti shqip nuk është vetëm mjet shkrimi, por simbol i krenarisë, kulturës dhe aspiratave tona si popull.

IZET MEXHITI,ZV/KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, është kujtesë e përpjekjeve të rilindësve për të unifikuar gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar. Alfabeti shqip nuk është vetëm mjet shkrimi, por simbol i krenarisë, kulturës dhe aspiratave tona si popull.Le ta festojmë këtë ditë duke nderuar të kaluarën dhe duke punuar për një të ardhme më të ndritur!Urime Ditën e Alfabetit Shqip!”.

Urime për ditën e Alfabetit kanë përcjellur edhe nga opozita. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili këtë ditë do ta festonë me mërgimtarët e Zvicrës, ka shkruar se gjuhën shqipe të lashtë duhet ta kultivojmë dhe ta promovojmë, dhe siç thotë, të bëhen  bashkë dhe të vihen  në ballë të përpjekjeve për ta mbrojtë nga sulmet e përditshme.

ALI AHMETI,KRYETARI I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM

“Deri dje punonim që ta avansojmë përdorimin e gjuhës tonë, ndërsa sot jemi vënë në pozitë për ta mbrojtur atë që e kemi arrirë. Çështja kombëtare, gjuha, flamuri, bashkimi e integrimi,  kërkojnë përkushtim nga burra e gra idealistë e misionarë”.

Ta ruajmë, ta nderojmë e ta mbrojmë, ashtu siç bënë rilindasit tanë. Kështu porosit kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

ZIADIN SELA,KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

“Urime Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të shenjtë. Ta ruajmë, ta nderojmë e ta mbrojmë, ashtu siç bënë rilindasit tanë, të bashkuar, për këta shkronja, njashtu dhe për këtë gjuhë, më të lashtën, më të bukur e më të veçantën ndër kombet e botës”.

Duke mos kursyer urimin dhe duke tejkaluar veten 22 Nëntorin e ka uruar edhe zëvendëskryeministri dhe njiherit ministri për Marrëdhënie Ndërmjet  Bashkësive, Ivan Stoilkoviq .

IVAN STOILKOVIQ,ZV/KRYEMINISTRËR PËR MARËDHËNIE NDËRMJET BASHKËSIVE

“Duke festuar Ditën e Alfabetit Shqip, ne konfirmojmë edhe një herë përkushtimin tonë për të ruajtur bashkëjetesën në një shoqëri multietnike dhe shumëgjuhëshe”.

Ndërkaq, qeveria me aktivitete të shumta ka shënuar  22 nëntorin, dita e alfabetit të gjuhës shqipe, ku zyrtarët shtetërore kanë marrë pjesë në  akademinë solemne të organizuar në qeveri.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING