(VIDEO) Kovaçevski: Plani për rritje të Ballkanit Perëndimor është një hap drejt integrimit evropian
Plani për rritjen ekonomike në tregun e përbashkët, mblodhi bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, në takimin e parë që u realizua në Shkup. Por kështu nuk ndodhi, edhe me press konferencën për shtyp e cila ishte paraparë të jetë e përbashkët. Kështu secili kryeministër mbajti konferencë të veçantë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij të fundit me përmasa ndërkombëtare bëri me dije se kjo iniciativë do të rris ekonominë e vendeve të rajonit për 10%.
Dimitar Kovaçevski, kryeministër
“Sot miratuan një deklaratë të përbashkët, me të cilën ne si liderë të Ballkanit Perëndimor obligohemi për zhvillimin e shteteve tona sipas standardeve evropiane. Në deklaratën e përbashkët theksuam rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes gjithë neve si një aleancë strategjike të shteteve të Ballkanit Perëndimor për ta arritur qëllimin tonë individual dhe njëkohësisht qëllimin e përbashkët, anëtarsimin në BE”.
Ndihmëssekretar i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Xhejms O Brajan premtoi se përfitimet e kësaj iniciative do të jenë shumë të shpejta.
Xhejms O Brajan, ndihmës-sekretar i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike
“Shtetet që e pranojnë këtë iniciativë, do t’i marrin përfitimet shpejtë dhe nuk do të presin zgjidhjen e ndonjë çeshtje bilaterale. Këto janë arritje të mëdha. Përfundimisht do të jemi të përgjegjshëm në këtë proces. Liderët sot u pajtuan të krijojnë një grup pune e cila, do të punoj në mënyrë të pandërprerë në pjesën e pagesës, në pjesën e shiritave të gjelbërt dhe gjëra tjera. Liderët do të takohen rregullisht për ta rishikuar progresin dhe për t’i zgjidhur çështjet politike që kanë ndodhur”.
Përndryshe, për rajonin janë ndarë 6 miliardë euro, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e secilit shtet. Nga këto, 2 miliardë euro do të përbëhen nga grantet dhe 4 miliardë euro nga kredi të privilegjuara.
Emine Ismaili /SHENJA/