(VIDEO) Kosovë, shtatë të arrestuar për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Shtatë persona janë arrestuar sot pas një aksioni të Policisë së Kosovës në Kaçanik lidhur me vrasjen e rreshterit policor Muhamed Lika. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se operacioni është realizuar me autorizim të Prokurorisë dhe ka përfshirë bastisjen e nëntë lokacioneve, shumica në qytetin e Kaçanikut dhe një tjetër në një fshat të komunës së Klinës.
GAZMEND HOXHA, DREJTOR I PËRGJITHSHËM I POLISISË SË KOSOVËS
“Gjatë këtij operacioni janë bastisur 9 lokacione. Shumica në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika”.
Ai theksoi se operacioni është kryer pa asnjë incident dhe pa persona të lënduar, as nga të arrestuarit dhe as nga forcat policore që morën pjesë në aksion.
Hoxha bëri të ditur edhe materialet e sekuestruara gjatë këtij operacioni të gjerë, të cilat tashmë janë në duart e hetuesve dhe do të shërbejnë për zbardhjen e rastit.
Janë sekuestruar dy vetura, telefona celularë, disa laptopë, një armë zyrtare me 30 fishekë, maska, fishekë të tjerë, dylbi si dhe dokumente të ndryshme që do t’i shërbejnë hetimit.
Ndërkaq, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Burim Çerkini ka bërë të ditur se deri tani motivi kryesor për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika lidhet me punën e tij zyrtare si polic. Në konferencë u bë e ditur se shtatë persona janë arrestuar, në mesin e tyre është një ish-pjesëtar i FSK-së.
BURIM ÇERKINI, KRYEPROKUROR I FERIZAJT
“Është herët të flasim për motivin, motivi kryesor lidhet me punën e tij zyrtare si polic. Shtatë persona janë duke u intervistuar. Sigurisht ata do të shkojnë në mbajtje dhe do të vazhdohet me procedurat. Hetimet do të vazhdojnë edhe për persona tjerë”.
Në këtë operacion, përveç Policisë së Ferizajt, asistencë ka dhënë edhe Njësia Speciale Operative, ndërsa në total kanë marrë pjesë rreth 170 zyrtarë policorë. Operacioni vjen si përgjigje ndaj vrasjes së rëndë të rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, një rast që ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur mobilizimin maksimal të institucioneve të sigurisë. /SHENJA/