(VIDEO) Kosovë – nesër zgjedhjet e jashtëzakonshme, sot voton diaspora

(VIDEO) Kosovë – nesër zgjedhjet e jashtëzakonshme, sot voton diaspora

Kosova është gati për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen të dielën më 28 dhjetor. Ndërkaq, sot po voton diaspora. Votimi në përfaqësi diplomatike është mundësuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa më herët qytetarët jashtë vendit kishin mundësi të votonin vetëm përmes postës. Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, të cilat i përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete të ndryshme.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lista e votuesve për këto zgjedhje përmban gjithsej 2.076.290 votues të regjistruar. Prej tyre, 1.999.205 qytetarë kanë të drejtë vote në vendvotimet brenda Kosovës, ndërsa 77.085 votues janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë certifikuar gjithsej 24 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Në garë për një ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 1.146 kandidatë për deputetë nga të gjitha subjektet pjesëmarrëse. Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, ndërsa për formimin e qeverisë nevojiten së paku 61 mandate.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme u shpallën në fund të nëntorit, pas mungesës së unitetit politik për krijimin e një qeverie të qëndrueshme. Në zgjedhjet e fundit të rregullta, të mbajtura më 9 shkurt 2025, Lëvizja Vetëvendosje doli partia më e madhe me rreth 42 për qind të votave dhe 48 ulëse në Kuvend, por pa shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, çka çoi në krizë politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dështimit për të siguruar një shumicë parlamentare funksionale. Edhe në këto zgjedhje, qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë për një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, në përputhje me ndryshimet e fundit ligjore në procesin zgjedhor.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit do të monitorohen nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe misione të Bashkimit Evropian. /SHENJA/

MARKETING