(VIDEO) Kosovë, nesër votohet kryeparlamentari

Nesër në Kosovë pritet që të votohet kryetari i Kuvendit, një test edhe për krijimin e qeverisë së re. Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Nisma nuk ka arritur asnjë marrëveshje me ndonjë subjekt politik deri në këtë moment, por është e gatshme të kontribuojë për krijimin e institucioneve të reja. Ai tha se presin që Qeveria dhe institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese.
FATMIR LIMAJ, NISMA SOCIALDEMOKRATE
“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe është e gatshme, madje do të punojë fort që Kosova t’i formojë institucionet dhe të mos shkojë në një krizë parlamentare. Ajo që mund të themi deri më tani është se nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik”
Për mbështetjen e mundshme për Albin Kurtin për krijimine qeverisë së re sot kanë folur edhe deputetë nga radhët e parive joshumicë.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se grupi parlamentar i komuniteteve do të mbështesë votimin e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë.
ELBERT KRASNIQI, MINISTËR NGA RADHËT E PAKICAVE
“Ne jemi grupi parlamentar i komuniteteve, në këtë grup do të jenë së paku edhe dy deputetë të KDTP, të partisë turke. Jemi 7 aktualisht, nënkuptojnë që ne jemi për votimin e kryetarit të Kuvendit edhe të qeverisë. Ky grupi i deputetëve që jemi sot këtu duke përfshi edhe ata të KDTP-së, ne jemi për qeverinë Kurti për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve, edhe tash po i relativizojmë numrat është 42.3, është shumë thuajse sa të gjithë të tjerët bashkë”
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, tha se Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka përcaktuar kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ajo nuk zbuloi se për kë bëhet fjalë.
EMILIJA REXHEPI, ZËVENDËSKRYEMINISTRE NË DETYRË
“Nesër votojmë kryetarin e parlamentit e shohim pastaj se si do të shkojë procedura. Unë besoj që qeverinë Kurti do ta votojmë sa më shpejt. Ne e dimë, por këtë kryeministri duhet ta thotë”
Pritet që Qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti të marrë mbështetjen e deputetëve të partive të pakicave joserbe, si dhe të deputetëve të Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt. /SHENJA/