(VIDEO) Kosova shënon 17 vjetorin e Pavarësisë, Kurti: I kemi dalë hakut sakrificës së dëshmorëve

Republika e Kosovës shënon sot 17 vjetorin e pavarësisë, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Me këtë rast, qeveria mbajti një mbledhje festive, ndërsa ushtria dhe Policia e Kosovës kanë parakaluar nëpër sheshet e Prishtinës. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas ngritjes së Flamurit të Republikës së Kosovës, ka uruar Ditën e Pavarësisë, duke kujtuar sukseset që i ka arritur Kosova, duke forcuar sovranitetin, shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar.
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës
“Por, është po ashtu një ditë kur iu themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm, për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka që ne sot ta festojmë këtë ditë, duke filluar nga arkitekti i pavarësisë, presidenti historik Rugova dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri te secili qytetar i Republikës sonë që sakrifikoi me mund e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova feston Pavarësinë si një shtet sovran, demokratik, me integritet territorial, me progres social, avancim demokratik e rritje shembullore ekonomike.
Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës
“Padyshim që mund të jemi krenarë që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve e veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve, të cilët qëndruan në kohë të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë të mira”.
Ndërkohë, me rastin e kësaj dite, presidenca e Kosovës ka marrë telegrame urime nga shumë liderë botëror dhe ato të rajonit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në mesazhin e tij ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ai po ashtu ka thënë se, lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe presin me padurim t’i zgjerojmë ato. Presidenti francez, Emanuel Makron, në urimin e tij mes tjerash ka thënë se, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet dhe ka siguruar përkrahjen e Francës për të mbështetur Kosovën në këtë rrugë. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e pavarësisë së Kosovës, ka kujtuar burrat dhe gratë që sakrifikuan për lirinë e pavarësisë. Ndërkaq, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në urimin e tij ka theksuar se, ndërtimi i shtetit të suskesshëm demokratik dhe integrimi i Kosovës janë betejat paqësore që qytetari kosovar meriton t’i fitojë!
Ndërkohë, edhe pas 17 viteve nga shpallja e pavarësisë dhe 26 vite pas luftës, Kosova dhe Serbia ende nuk kanë zgjidhur mosmarrëveshjet. Procesi i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që filloi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve, nuk ka përfunduar ende ndërsa kohë pas kohe është përballur edhe me ndërprerje, përfshirë edhe vitet e fundit.
Teuta Buçi /SHENJA/