(VIDEO) Kosova mes 19 shteteve që nënshkruan për “Bordin e Paqes”
Është themeluar të enjten në Davos të Zvicrës Bordi i Paqes i formuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Bordi është nënshkruar nga dhjetëra shtete, përfshirë edhe Kosovën, teksa kanë munguar aleatët kryesorë perëndimor të SHBA-së.
Trumpi ka thënë pas nënshkrimit se dëshiron që “Bordi i Paqes” i tij të punojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, edhe pse kritikoi OKB-në për dështimin në përmbushjen e potencialit të saj.
DONALD TRUMP, PRESIDENT I SHBA-SË
“Sapo ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam, dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Nuk e kanë përdorur, por kanë një potencial të jashtëzakonshëm”.
Trumpi kishte sugjeruar më parë se “Bordi i Paqes”, të cilin ai e ka formuar kryesisht për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës, “mund” përfundimisht të zëvendësojë OKB-në. Por të enjten ai tha se donte që të dyja të punonin në kombinim, duke pretenduar se kjo mund të rezultonte në “diçka shumë, shumë unike për botën”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nënshkruar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë shkëmbyer disa fjalë.
VJOSA OSMANI, PRESIDENT E KOSOVËS
“Ne jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë që qëndrojmë përkrah presidentit Trump në këtë iniciativë të re dhe në këtë organizatë ndërkombëtare, Bordin e Paqes, për të cilën kam shumë shpresë dhe besim se do t’i ndihmojë vendet në mbarë botën të arrijnë paqen që meritojnë dhe paqen që tani e gëzojmë falë vendeve që na kanë mbështetur”.
Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë vetëm 19 shtete. Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia janë vendet që kanë nënshkruar në ditën e themelimit të këtij bordi. /SHENJA/

