(VIDEO) Kontrollorët e trafikut ajror paralajmërojnë grevë më 12 tetor
Sindikata e kontrollorëve të trafikut ajror M-NAV për shërbime të navigacionit ajror ka paralajmëruar grevë për më 12 tetor.Nga ora 11:00 deri në orën 17:00, në aeroportin e Shkupit dhe Ohrit nuk do të servisohet asnjë avion. Kryetari i Sindikatës, Aleksandar Tasevski, tha për MIA-n se dëshirojnë të ndalojnë sjelljet joprofesionale të drejtorëve në lidhje me proceset e punësimit, rishpërndarjet e brendshme, kushtet e punës dhe pajisjet që duhet të zbatohen për modernizimin e sistemit të punës. Siç thotë ai, prej kohësh kanë vënë në dukje kushtet e pafavorshme dhe e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Transportit. Sipas Tasevskit, punësimi bëhet në kundërshtim me aktet për zhvillim të karrierës, prioritet u jepet atyre që zgjedhin drejtorët dhe kjo krijon revoltë te kuadri cilësor të cilit nuk i jepet mundësia që të përparojë.
ALEKSANDAR TASEVSKI, KRYETARI I SINDIKATËS TË KONTROLLORËVE TË TRAFIKUT AJROR
“Në shërbimet që janë të mbipunësuara, numri rritet, shpallen konkurse që zgjasin tre ditë dhe personat që i punësojnë për ato pozita nuk mund t’i plotësojnë nevojat e procesit të punës, i cili më pas përdoret si arsye për punësim shtesë”.
Ai thekson se nga mbi 300 të punësuar në Kontrollin e Trafikut Ajror, vetëm 70 janë kontrollorë operativë, për dallim, siç thotë ai, për shembull në Slloveni, ku ka 240 të punësuar, por 120 kontrollorë. Një nga kërkesat është marrja në punë e një kompanie të jashtme që do të bëjë një analizë funksionale se cilat shërbime dhe personel profili nevojiten, si një dokument që do të jetë një mbështetje në të ardhmen në rast veprimesh të pabazuara nga udhëheqësia.
Për shkak të kësaj gjendjeje të pajisjeve këtë vit kanë vendosur kufizime që të mos pranohen një numër më i madh i avionëve për fluturim, sepse pajisjet nuk kanë mundur t’i riparojnë. Gjithashtu thonë se përballen me probleme me ujin dhe ruajtjen e kushteve higjienike. Pasi kanë publikuar informacionin për grevën, Tasevski thotë se ka filluar të merr kërcënime telefonike, të cilat i ka raportuar në polici dhe në zyrën e M-NAV.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/