(VIDEO) Komunat e drejtuara nga BDI ankohen për diskriminim nga Qeveria

(VIDEO) Komunat e drejtuara nga BDI ankohen për diskriminim nga Qeveria

Kryetari i komunës së Likovës nga radhët e BDI-së, Erkan Arifi, në lidhje ndarjen e mjeteve për financim për komunat nga Qeveria, theksoi se kjo shpërndarje për kokë banori nuk është sipas metodologjisë së përshtatshme. Arifi tha se në komunën e Likovës janë ndarë mjete vetëm në bazë të numrit rezident dhe jo edhe për ato që nuk janë rezident si dhe nuk është marrë parasysh asnjë element tjetër. Ai shtoi se komunat me më pak territor kanë marrë mjete më shume sesa komuna e Likovës e cila i ka 244 kilometër katror territor.

Erkan Arifi, kryetar i komunës së Likovës

“Unë mendoj që nuk është mbas metodologjisë së përshtatshme për arsyje se, për shembull,  komuna e Likovës në mbas kokë banori dhe plus vetëm për ata banorë të cilët janë rezident jo edhe për ata të cilët nuk janë rezident dhe kështu që nuk mirret parasysh asnjë element tjetër. Për shembull ne si komunë kemi 244 kilometër katror territor, ne kufizohemi me komunën  e Haraçinës, Republikën e Kosovës, Republikën e Serbisë, do të thotë kemi shumë hapësirë, shumë sipërfaqe dhe nevoja për investime është më e madhe se një komunë me 5 kilometra që i ka 100.000 banorë ndërsa ato i marrin 5-6 milionë euro ndërsa ne 900 mijë euro.”

Arifi shtoi se komuna e Likovës ka aplikuar për 3 projekte, mirëpo duke e ditur procedurat administrative në vend, afati kohor për aplikim dhe grumbullim të dokumentacionit tëknik duhet të jetë më i gjatë.

Ndërkohë, zëvëndësministri i vendit, Izet Mexhiti,  në profilin e tij në Fejsbuk është zotuar për investime në komunat e banuara me shqiptarë.

Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut

“Investime në zhvillim e modernizim për një jetë më të mirë për të gjithë! Më shumë para në infrastrukturë, arsim e ambient jetësor për modernizimin e Gostivarit, Tetovës, Likovës, Strugës, Çairit, Kërçovës, Kumanovës, Zhelinës, Sarajit, Haraçinës, Tearcës dhe për të gjitha komunat tjera të vendit tonë pa dallim Qeveria do t’i vë të gjitha resurset e nevojshme që ka në dispozicion që të gjitha komunat të përfitojnë suksesshëm nga mjetet financiare për projektet.”

Përndryshe, Qeveria solli vendim për ndarjen e mjeteve financiare të 274 projekte në 77 komuna ku fondet do t’i marrin në llogari të dedikuar, në faza sipas situatës së realizuar. E gjithë procedura do të monitorohet nga trupi koordinues, i cili përfshin përfaqësues nga të gjitha ministritë përkatëse, përmes të cilave do të financohen projektet e përzgjedhura.

Merxhane Iseni /SHENJA/

 

MARKETING