(VIDEO) Komuna e Sarajit: Dokumentacionet i dërguam në kohë, Mexhiti po na bllokon
“Boll më me trillime e deklarata boshe, mjafton të jepni pëlqimin për projektin në fjalë e mos e mbani në ‘sirtar’ siç keni bërë që nga muaji korrik i këtij viti”. Reagon kështu edhe një herë komuna e Sarajit pasi nuk mori mjete financiare nga qeveria për projekte komunale. Përgjegjës për mospranimin e projekteve të tyre, komuna e Sarajit e bënë Izet Mexhitin si ministër i Ekologjisë dhe Ambientit Jetësor. Këmbëngulin se kanë aplikuar në kohë dhe e kanë pasur në rregull dokumentacionin, duke dërguar edhe dokumentacionet e tyre të aplikimit për projektet që kanë kërkuar mjete.
Komuna e Sarajit
“Edhe pas 4 muajve dhe 2 urgjencave të lëshuara nga Komuna, e bllokoi dhe nuk dha pëlqimin për projektin e rrugës së Fshatit Llaskarcë. Konkretisht, ministria përkatëse sipas afatit të paraparë me ligj duhej të jap pëlqim pozitiv deri më datën 19 korrik 2024, gjë të cilën ende nuk e ka bërë dhe heziton ta bëj. Gjithashtu, qeveria nuk e mbështeti edhe projektin e dytë, për rrugën Sfillare e Poshtme – Sfillare e Epërme, edhe pse për të njëjtin projekt është kompletuar dokumentacioni teknik”.
Krahas Komunës së Sarajit edhe ajo e Strumicës dhe komuna e Tearcës, si dhe Qyteti Shkupit janë përjashtuar nga mjetet e ndara për financim të projekteve komunale, reagimi i të cilave ishte i menjëhershëm. Kurse kryeminsitri Hristijan Mickoski tha se ata nuk kanë dorëzuar dokumentacion projektues sipas thirrjes publike.
Emine Ismaili /SHENJA/