(VIDEO) Kocevski: Çështjen për zjarrin në “Puls” do ta përfaqësojnë 15 prokurorë
Procesi gjyqësor për rastin e zjarrit në diskotekën “Pulse” do të nisë javën e ardhshme, më 19 nëntor, ndërkaq kryeprokurori Ljupço Kocevski ka njoftuar se për këtë rast do të angazhohen më shumë se pesëmbëdhjetë prokurorë.
Sipas Kocevskit, Prokuroria është plotësisht e përgatitur dhe tashmë është rënë dakord për mënyrën se si do të përfaqësohet aktakuza në gjykatë. Ai theksoi se nuk pritet asnjë problem nga ana e Prokurorisë gjatë procesit gjyqësor.
LJUPÇO KOCEVSKI, KRYEPROKUROR
“Në sallë do të jenë të pranishëm të njëjtët prokurorë që e kanë ndjekur rastin deri tani, por me shumë gjasë do të angazhojmë edhe disa të tjerë, për të mos e ngarkuar punën e atyre që kanë edhe lëndë të tjera. Kështu do të sigurohemi që gjykimi të mos shtyhet dhe procesi të mos vonohet për shkak të mungesës së përfaqësuesve të akuzës”.
Hetimi për pjesëtarët e policisë lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse” ishte parashikuar të përfundonte deri në fund të shtatorit, por është shtyrë për shkak të disa rrethanave objektive me dëshmitarët.
Për procedurën paraprake ndaj punonjësve të Administratës Tatimore, hetimet po zhvillohen nga Prokuroria Themelore në Koçan, ndërsa prokurori ka dhënë udhëzime për veprimet e nevojshme të institucioneve përkatëse.
Mevludin Imeri /SHENJA/

