(VIDEO) Koalicioni VLEN fitoi një deputet më shumë, kurse Fronti Europian humbi një deputet

(VIDEO) Koalicioni VLEN fitoi një deputet më shumë, kurse Fronti Europian humbi një deputet

Koalicioni VLEN fitoi një deputet më shumë, kurse Fronti Evropian humbi një deputet. Ky është epilogu i rivotimit, që u zhvillua të mërkurën në gjithësej 7 vendvotime.

Në Zonën 5, Fronti Evropian ka fituar, duke ruajtur mandatin e deputetit të 4-të në këtë zonë, që është Ismail Jaoski. Ndërkaq, Fatmire Isaku nga Fronti Evropian në Zonën 6 zgjedhore e ka humbur mandatin e deputetes pas rivotimit në Llërcë të Zhelinës, dhe në vend të saj nga VLEN do të jetë Adnan Azizi.

Nga këto rivotime, VMRO-DPMNE mbetet me 58 deputetë, edhe LSDM mbetet me 18 deputetë, Fronti Evropian bie në 18 deputetë, ndërsa VLEN shkon në 14 deputetë.

Pas fitores në Llërc, Adnan Azizi nga VLEN u shpreh se këto zgjedhje e korrigjuan padrejtësinë që iu bë atyre më 8 maj, duke u vjedhur një deputetë.

Adnan Azizi, VLEN

Të nderuar mërgimtarë që keni ardhur me mijëra kilometra për ta korrigjuar një padrejtësi dhe një rezultat të grabitur në zgjedhjet e kaluara. Unë deklaroj para jush se fitoja e VLEN-it, është fitore spektakolare edhe në fshatin tonë, 498 vota kemi marrë ne si VLEN, kurse koalicioni që unë preferoj ta quaj ‘Koalicioni i zullumit’ ka marrë 48 vota”.

Kurse Fronti u lavdërua me deputetin e ruajtur në zonën e 5 zgjedhore.

Arbër Ademi, Fronti Evropian

Në zonën 5, në vendvotimet ku kishte rivotim. Më 8 maj Fronti Europian 373, ndërsa VLEN 339! Më 22 maj Fronti Europian 638, ndërsa VLEN 65! Fronti Europian e betonon deputetin e katërt! S’ka as aleancë jo parimore, as inzhinjering zgjedhor që mund ta minoj legjitimitetin! Në zonën 6, vazhdojmë betejën për ta mbrojtur çdo votë të qytetarit dhe legjitimitetin e sovranit!”.

Përsëritja e votimit u bë për shkak se pas zgjedhjeve të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pranoi ankesat e partive politike për parregullsi në këto vendvotime, me çka anuloi votimin në këto pika. Vendimi për rivotim u vërtetua edhe nga Gjykata Administrative.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING