(VIDEO) Këshilltari i DASH-it takoi kryeministrin, korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor

(VIDEO) Këshilltari i DASH-it takoi kryeministrin, korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Cholle ishte në Shkup ku u takua me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministra të tjerë. Cholle, nuk ka biseduar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për listën e zezë që po shpallet gjerësisht në vendin tonë, ndonëse të dy patën një takim kokë më kokë para fillimit të bisedimeve dypalëshe të delegacioneve.

Kovaçevski tha se ajo temë nuk është përmendur fare nga mysafiri i lartë nga SHBA-ja, ndonëse pjesë e temave që kanë biseduar ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit. Në takim, sipas Kovaçevskit, është biseduar edhe për krizën energjetike, integrimet evropiane, nevojën e vazhdimit të reformave dhe ndryshimeve kushtetuese që duhet të ndodhin në vendin tonë, kryesimi i OSBE-së dhe bashkëpunimi me SHBA-në për forcimin e gjykatës dhe drejtësisë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Ne nuk kemi diskutuar për ekipin e zbatimit të sanksioneve dhe atë që është bërë në Shkup. Biseduam për të gjithë hapat konkretë të ndërmarrë nga Qeveria, gjatë të cilave e informova për të gjitha zgjidhjet ligjore që janë miratuar ose po përgatiten për përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë. Rregullimi ynë kushtetues parashikon që autoriteti gjyqësor është i pavarur dhe detyrat që ka si kompetencë Qeveria, si sigurimi i buxhetit adekuat dhe përmirësimi i infrastrukturës, të gjitha këto janë të siguruara”.

Ai shtoi se janë pajtuar që të forcohet bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, se takimi ka qenë jashtëzakonisht pozitiv dhe se tashmë kanë rënë dakord për një takim të ri në gjysmën e parë të këtij viti për të diskutuar mbi çështjen strategjike.

Vizita e këshilltarit të Departamentit të Shtetit zhvillohet në kuadër të turit ballkanik në të cilin Chollet përveç Shkupit viziton edhe Prishtinën dhe BeogradinA. Qëllimi i këtij turneu, siç është theksuar edhe më parë nga Departamenti i Shtetit, është të theksojë përkushtimin e përhershëm të Shteteve të Bashkuara për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING