(VIDEO) Këshilli Gjyqësor: “Тarget-Fortesa” është mbajtur pa arsye 9 muaj në sirtarët e apelit
Nga raporti i Këshillit Gjyqësor nga vizita e punës në Gjykatën e Apelit Shkup, rezulton se gjyqtari Enver Bexheti ka trajtuar lëndë të reja, ndërsa lënda “Target fortesa”, për të cilin Apeli e ka anuluar aktgjykimin dhe e ka liruar Sasho Mijallkovin është mbajtur në sirtar. Tanja Çaçarova-Ilievska, një nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor që shqyrtoi veprimet e gjyqtarëve, tha se nuk ka arsyetim që Apeli nuk ka marrë vendim për nëntë muaj. Sipas konkluzionit të raportit, bëhet fjalë për një periudhë të gjatë të paarsyeshme gjatë së cilës nuk është marrë vendim për një çështje që ka qenë urgjente.
TANJA ÇAÇAROVA-ILIEVSKA, ANËTARE E KËSHILLIT GJYQËSOR
“Grupi i punës konstatoi se nga dita e përfundimit dhe mbajtjes së seancës publike deri në miratimin dhe publikimin e vendimit më 5 dhjetor 2022 ka kaluar një periudhë prej nëntë muajsh. Konsiderojmë se nuk ka arsye të justifikuara që një periudhë kaq e gjatë të kalojë nga përfundimi i seancës publike deri në shpalljen e vendimit. Konsiderojmë se janë krijuar kushte për parashkrimin e mundshëm të kësaj procedure, që përbën shkelje të rëndë, për shkak të mosrespektimit të afateve për marrjen e vendimit”.
Gjyqtari Enver Bexheti i cili dëshiron të bëhet gjyqtar suprem është përgjegjës për lëvizjen e lëndës Target-Fortesa. Këshilli Gjyqësor ka konstatuar se çështjet e reja i zgjidh vetëm nga viti 2022, por jo edhe rastin e përgjimit, aktgjykimi i të cilit është anuluar dhe lënda është në prag të vjetërsimit.
TANJA ÇAÇAROVA-ILIEVSKA, ANËTARE E KËSHILLIT GJYQËSOR
“Pavarësisht se ka një ngarkesë të madhe, ai ka përfunduar lëndët me datë më të re, madje edhe raste të dhëna nga viti 2022. Nga deklarata me shkrim e gjyqtarit raportues, si dhe e kryetarit të këshillit gjykues dhe dy anëtarëve të tjerë, konstatohen këto arsye: kompleksiteti i çështjes, materiali dëshmues që u studiua dhe koha e nevojshme për vlerësimin e çështjes në vendimin e shkalles se pare. Simptomatike është fakti se në të gjitha deklaratat thuhet se “nga dita e mbajtjes së seancës publike deri në marrjen e vendimit anëtarët janë takuar, por nga të dhënat e dorëzuara për rastin konstatuam se nuk ka procesverbal për mbledhje, sërish, të anëtarëve të këshillit gjyqësor”.
Kujtojmë se Gjykata e Apelit solli vendim skandaloz për shfuqizimin e aktgjykimit për lëndën “Target-Fortesa” në lidhje me aferën e përgjimeve në RMV. “Target-Fortesa” është lënda e aferës masive të përgjimeve të paligjshme dhe me aktgjykim të shkallës së parë ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijalkov, ishte dënuar me 12 vjet burg.
Bashkë me të, me katër vjet burg është dënuar edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska. Dënime më të larta prej 15 vitesh burg morën dy agjentët e arratisur të kundërzbulimit nga e ashtuquajtura Drejtoria e pestë e DSK-së së atëhershme, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujovski.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/