(VIDEO) Kërkohen personat e dyshuar për vrasjen në Duqanxhik

(VIDEO) Kërkohen personat e dyshuar për vrasjen në Duqanxhik

Pas shkëmbimit të zjarrit të djeshëm me armë pranë Bit Pazarit, një prokuror publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kreu një inspektim, nga ku thuhet se gjurmët janë mbledhur në vendngjarje dhe do t’i nënshtrohen analizës mjeko-ligjore. Ndërkaq edhe një autopsi do të kryhet mbi trupin e të ndjerit. Po ashtu me urdhër të prokurorit publik, po sigurohen pamjet e kamerave të mbikëqyrjes nga objektet përreth, dhe po jepen të gjitha urdhrat dhe udhëzimet e nevojshme për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të sqaruar plotësisht ngjarjen. Ndërkaq për ngjarjen ka reaguar anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Simona Cvetanoska, duke kërkuar dorëheqje të menjëhershme të Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskit, pasi që siç tha ajo kaosi mbretëron në rrugë si dhe siguria e qytetarëve është seriozisht e kompromentuar. Sipas Cvetanoskës nevojiten ndryshime dhe reforma urgjente në sistemin e sigurisë dhe masa të reja për të forcuar sigurinë publike, veçanërisht në zonat e ndjeshme!

Simona Cvetanoski, anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së

Ministria e Brendshme, nën udhëheqjen e Pançe Toshkovskit, është gjunjëzuar si kurrë më parë, deri në atë pikë sa dje, në mes të ditës në Shkup, ndodhi një tjetër shkëmbim zjarri mafioz para një stacioni policie. Ky është një shkatërrim total i aparatit të sigurisë. Diçka nuk shkon seriozisht me institucionet, me sistemin. Sa njerëz të tjerë duhet të vdesin para se Pançe Toshkovski më në fund të mbajë përgjegjësi? Është koha për dorëheqje, është koha për përgjegjësi”.

Ndërkaq, për këto akuza reagim të menjëhershëm pati nga partia në pushtet VMRO-DPMNE nga ku ata shprehen duke thënë se sistemi po funksionon, po kryhen hetime dhe madje njerëz që ishin të mbrojtur dhe të paprekshëm gjatë epokës së LSDM-së po arrestohen.

VMRO-DPMNE

LSDM është një parti që, gjatë sundimit të saj, e shndërroi vendin në një oazë për kriminelët me jakë të bardhë dhe baronët e drogës. Gjatë mandatit të Ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, pasaporta iu dhanë kriminelëve botërorë, baronëve të drogës, anëtarëve të mafias dhe madje edhe anëtarëve të ISIS-it. Gjatë qeverisjes së LSDM-së, dihej publikisht se mafia kishte fituar shtetin e vet”.

Tutje ata thonë se këto sulme vijnë pasi që nuk ka më të paprekshëm dhe se tani po arrestohen kriminelë, të cilët LSDM-ja jo vetëm i toleroi për shumë vite, por edhe i mbrojti. Nga VMRO theksojnë se hetimet janë duke u zhvilluar dhe njerëzit e dyshuar për shkelje të ligjeve po ndalohen, si nga opozita ashtu edhe nga qeveria, diçka që sipas tyre, nuk ishte gjatë sundimit të LSDM-së.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING