(VIDEO) Keqpërdorimet gjatë fushatës, deri më 29 shtator 7 500 automjete zyrtare me targa speciale

Të gjitha institucionet shtetërore dhe personat juridikë publikë do të jenë të detyruar të zëvendësojnë targat e automjeteve zyrtare me targa me ngjyra të reja deri më 15 shtator 2025, në përputhje me vendimin e qeverisë të miratuar në fund të korrikut. Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë ka nisur procedurën e “brendimit”, përkatësisht shënjimit të të gjitha automjeteve zyrtare në shtet. Qëllimi i kësaj mase, siç informuan autoritetet, është rritja e transparencës dhe kontrollit në përdorimin e automjeteve zyrtare, nga ku sipas tyre, kjo do të parandalojë keqpërdorimin e tyre për qëllime personale, private ose partiake.
Ndërkohë, Drejtor i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski, gjatë konferencës njoftoi se bëhet fjalë për rreth 7 deri në 7.500 automjete, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme deri më 31 dhjetor të këtij viti ka marrë përsipër të përgatisë një regjistër të automjeteve zyrtare.
Ivica Tomovski, Drejtor i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë
“Dje shënuam 34-vjetorin e pavarësisë dhe gjatë këtyre viteve kemi dëgjuar shpesh premtime se do të bëhet brendimi dhe se do të parandalohet abuzimi i mundshëm i automjeteve zyrtare për qëllime private apo partiake, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Tani po e tregojmë në vepër. I kemi dhënë udhëzime dhe rekomandime të gjitha institucioneve të fillojnë menjëherë me ndërrimin e targave. Ky është thirrja e dytë. Afati është deri më 15 shtator që të gjitha automjetet të brendohen. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të bëjmë edhe një thirrje të tretë, me qëllim që deri më 29 shtator, pra deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, të gjitha automjetet zyrtare dhe ato në pronësi të shtetit të jenë të brenduara”.
Tutje ai sqaroi se rregullorja nuk parasheh gjoba, por nëse disa institucione shmangin ose nuk e realizojnë brendimin deri më 29 shtator, atëherë do të detyrohen ta bëjnë gjatë regjistrimit të automjeteve, kur automatikisht do të marrin targa speciale me ngjyrë. Ndërkaq, Rregullorja parashikon që të brendohen të gjitha automjetet që janë në pronësi të shtetit – ato të qeverisë, komunave, ndërmarrjeve publike dhe çdo automjet tjetër me pronësi dominuese shtetërore.
Ndërkaq ministri për qeverisje të mirë Arben Fetai thotë se projekti i identifikimit të veturave zyrtare është edhe një premtim tjetër i qeverisjes së tyre që po realizohet brenda vitit të parë nga ku shtoi se po ecin me tempo të shpejtë.
Arben Fetai, ministër për qeverisje të mirë
“Pra jemi këtu për të filluar me projekin e identifikimit të veturave zyrtare, siç është premtuar para 1 viti, kjo është edhe një premtim i qeverisjes tonë që realizohet brenda vitit të parë, për sa i përket pakos së ligjeve në fushën e korrupsionit, këtu bartëse është Ministria e Drejtësisë në kuadër të agjendës së reformave shumë shpejtë do të keni raportim për deri ku jemi.\ Jemi duke ecur me tempo të shpejtë, në rajon Maqedonia e Veriut është lider për sa i përket implementimit të agjendës së reformave. Shumë shpejtë do të keni informatanë lidhje me përgaditjet për ndryshimet e kodit penal, ligjet në sektorin e drejtësisë e kështu me rradhë”.
Tutje Fetai tha se për detajet dhe progresin në lidhje me zbatimin e reformave dhe specifikisht përgaditjen e projektligjeve në fjalë në kuadër të agjendës së reformave, do të njoftojë ministri i drejtësisë. Ai beson që me identifikimin e tabelave të veturave zyrtare përmes tabelave të veçanta merr fund një abuzim i cili kisht karakterizuar qeverisjen paraprake dhe se sipas tij, nuk do të ketë më ofendime të tilla pasi që qytetarët dhe gjithë të tjerët, do të jenë në gjendje ti identifikojnë veturat zyrtare në çdo moment.
Në konferencën për shtyp mori pjesë Drejtor i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski, Zëvendëskryeministri përgjegjës për qeverisjen e mirë, Arben Fetai, dhe megjithëse prania e Ministrit të Punëve të Brendshme ishte e njoftuar, ai nuk erdhi, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme ishte Aleksandar Janev, Drejtor i Byrosë së Sigurisë Publike.
Anida Murati /SHENJA/