(VIDEO) Katër vjet nga zjarri në spitalin modular, viktimat u tretën, fajtorët të paprekur

(VIDEO) Katër vjet nga zjarri në spitalin modular, viktimat u tretën, fajtorët të paprekur

8 shtatori. Derisa po përfundonin festimet për shënimin e 30 vjetorit të pavarsis së Republikës, rreth orës 21:00 Tetovën e goditi një tragjedi, e pa përjetuar dhe e padëgjuar ndonjëherë deri atë kohë. Një spital që duhej të shëronte pacientë që po luftonin për jetë nga virusi Covid-19, mori flakë dhe u dogj bashkë me pacientët.

Mjaftuan vetëm disa minuta që zjarri të shkrumbonte gjithçka. Bërtima, njerëz që donin të ndihmonin, flakë, erë e rëndë, errësirë, frikë e rënkim, gjithçka shkonte e bëhej më e trishtueshme. Fatkeqësisht, zjarri mori me vete 14 persona.

Spitali i rrethuar me shirit, policia

Në vendin e ngjarjes, që menjëherë ishte kufizuar nga organet e rendit, kishin mbërritur familjarë të pacientëve që ishin brenda e që tentonin t’i shpëtonin, qytetarë të tjerë të shqetësuar për atë që po shihnin përmes rrjeteve sociale, media të shumta që raportonin, por më vonë edhe funksionarë shtetëror. Për të gjithë ishte diçka e pa parë më herët, e pa qartë dhe shumë e dhimbshme.

Të nesërmen u konfirmuan se ishin gjithësej 14 viktima, tetë femra dhe 7 meshkuj, apo 12 pacientë dhe 2 familjarë të pacientëve të cilët kishin qenë në spital për t’i ndihmuar, të moshës prej 29 deri në 78-vjeç.

Për gjithë këtë tragjedi, faji i mbeti kabllos elektrike të spitalit. Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit. E gjithë përgjegjësia “u mjaftua” me kërkimin e përgjegjësisë së drejtorëve të spitalit, ndërsa ministri i asaj kohe Venko Filipçe nuk ndihej fajtor për atë që kishte ndodhur, njëjtë edhe kompania “Brako” e Koço Angjushev që i kishte ndërtuar spitalet modulare. Për këtë rast pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale. Në maj 2024 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING