(VIDEO) Kaos në Shkup, nga e hëna nuk do të qarkullojnë autobusët privat

(VIDEO) Kaos në Shkup, nga e hëna nuk do të qarkullojnë autobusët privat

Kaosi me transportin publik nga 1 shtatori do të thellohet edhe më tej. Kjo për shkak se autobusët privat nuk do të punojnë, pasi atyre nuk u është paguar ende borxhi. Të hënën kur fillon edhe shkolla dhe të gjithë të punësuarit nëpër institucione kthehen në punë pas pushimeve verore, nevoja për shfrytëzimin e transportit publik do të jetë edhe më e madhe.

Një autobus në secilën linjë do të qarkullojë vetëm një herë në ditë, kështu që në rrugët e Shkupit do të ketë më pak se 150 autobusë. Shkak për këtë, siç thonë ata, është borxhi i Qytetit të Shkupit ndaj bartësve prej 2 milionë eurosh, si dhe premtimi i paplotësuar për rritjen e tarifës.

Pothuajse e gjithë vera ka kaluar nën një situatë kaotike me autobusët, përshkak se qytetarët në vapë duhej të prisnin me orë të tëra, e nuk mund të arrinin në destinacionin e planifikuar. E njejta gjendje duket se do të vazhdoj pasi nuk shihet një qartësi në situatën e mjegulltë të krijuar mes Qytetit të Shkupit dhe partisë maqedonase në pushtet. Ankesat dhe revoltën e  tyre, qytetarët që prisnin autobusë, disa herë e kanë shprehur edhe para mikrofonit të TV Shenja.

As takimi mes kryeministrit dhe të parës së Qytetit nuk zgjodhi gjë, vazhduan deklaratat akuzuese kundër njëri tjetrit dhe problemet me transportin publik poashtu.

Bashkësia e Njësisë së Vetëqeverisjes lokale  të premten kërkoi nga kryetarja e Qytetit Danella Arsovska dorëheqjen e saj. Kurse kjo e fundit i dërgoi kryeministrit letër publike që të ndihmoj në tejkalimin e problemit me mungesën e autobusëve në Shkup.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING