(VIDEO) Kandidatët premtojnë zgjidhje të problemeve të kryeqytetit

(VIDEO) Kandidatët premtojnë zgjidhje të problemeve të kryeqytetit

Nuk mjaftoi raundi i parë për të zgjedhur  udhëheqësin e ri të Qytetit të Shkupit. Prandaj, pjesa e dytë pritet të jetë edhe më e “zjarrtë”, ku dueli është ndërmjet kandidatit të VRMO-së Oce Gjorgjievskit, i cili në rrethin e parë priu bindshëm me vota dhe kundër kandidatit të Levicës Amar Mecinoviq, i cili synon ta përmbys rezultatin.

Se sa e “nxehtë” është gara mes tyre, po e tregon edhe fushata të cilën po e zhvillojnë me një ritëm dinamik, duke premtuar që Shkupi të jetë ndër metropolet evropiane. Premtime për projekte të reja, premtime për probleme të zgjidhura e fotografi e re e qytetit, nuk mungojnë në asnjë tubim të tyre parazgjedhor, të cilat në test do të vihen menjëherë pasi të përfundojnë zgjedhjet, pasi Gjorgjievski disa herë e ka përsëritur se 72 orë pasi të zgjidhet kryetar, Shkupi do të pastrohet nga mbeturinat.

Dy kandidatët u përballën edhe në debat televiziz, nga i cili debat vëmendje mori se si Gjorgjievski e quajti kundërkandidatin pa diplomë, përderisa edhe vetë Mecinoviq tregoi se është student i shkencave politike, por ende i padiplomuar.

Kandidati i VMRO-së ka thënë se me fitoren e tij, do të ketë fillim të ri dhe projekte të reja për qytetin, ndërsa ai i Levicës ka thënë se përfaqëson alternativën e qytetarit të zhgënjyer.

Dy konkurentët e Qytetit të Shkupit janë zotuar para qytetarëve se që nga marrja e mandatit, nuk do të kenë më problemet që i kanë trashëguar nga kryetarja në largim Danella Arsovka.

Ardhja e saj në krye të Qytetit të Shkupit, para katër viteve pritej me shumë eufori dhe shpresë nga qytetarët, por ato u shuan shumë shpejtë kur nisën problemet me transportin publik, mbytjen e kryeqytetit nga mbeturinat dhe mungesa apsolute e komunikimit të saj me kryetarët tjerë të komunave të Qytetit. Disa herë ajo është akuzuar edhe për 0 punë të realizuara në pjesën shqiptare të qytetit kryesor.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING