(VIDEO) Kandidatët në Vrapçisht përplasen për cilësinë e ujit të pijshëm

(VIDEO) Kandidatët në Vrapçisht përplasen për cilësinë e ujit të pijshëm

I ftuar në emisionin Debat në Shenja, kandidati i pavarur për komunën e Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, i mbështetur nga VLEN dhe ASH e Ziadin Selës, deklaroi se reduktimi i ujit në këtë komunë është pasojë e dështimit të pushtetit aktual që për dy mandate radhazi nuk arriti të sigurojë ujë të pijshëm për qytetarët. Demiri theksoi se, kur gjendja bëhet alarmante dhe e papërballueshme, kryetari i komunës ka zgjedhur një “zgjidhje kreative”, të cilën, sipas tij, e ka shpikur vetë dhe e paraqet si investim të vetëm për fshatin Gradec.

ZULHAJRAT DEMIRI, KANDIDAT I PAVARUR PËR KOMUNËN E VRAPÇISHTIT

“’Nuk u tregohet qytetarëve se ai ujë i cili inkuadrohet në gypat dhe në rrjetin e ujësjellsit është ujë jo i pijshëm dhe është në dëm të qytetarëve. Unë kam edhe një dokumentacion këtu nga institucioni i shëndetit publik, i cili ka dalë me një konstatim për ujin e fshatit Gradec i cili nuk është i pijshëm’’

Ndërkohë, kandidati i AKI-së për komunën e Vrapçishtit, Isen Shabani, mohoi pretendimet e kundërkandidatit të tij, duke thënë se nuk ekziston dokument zyrtar që vërteton se uji në fshatin Gradec është i papijshëm. Ai deklaroi se dokumenti në fjalë është i falsifikuar nga një hoxhë nga fshati Dobridoll për qëllime propagandistike.

ISEN SHABANI, KANDIDAT I AKI-SË PËR KOMUNËN E VRAPÇISHTIT

Për të qenë korrekt, e kam parë edhe unë atë dokument. Ai nuk është bërë në fshatin Gradec, siç pretendon kundërkandidati im, por në fshatin Dobridoll. Dokumenti pretendon se uji është marrë në një shkollë, por nuk ka datë, nuk tregohet se nga cili inspektor apo institut është kryer analiza dhe ka shumë mangësi të tjera. Nga sa duket, ky dokument është përdorur vetëm për propagandë politike nga një hoxhë i Dobridollit.”

Kujtojmë se më 11 janar 2026 do të mbahen zgjedhjet e përsëritura lokale në katër komuna. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në komunat Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë. /SHENJA/

 

MARKETING