(VIDEO) Kandidatët e pavarur, Gashi: Ndryshimet e kodit zgjedhor prioritet që duhet të zgjidhet

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha sot se, çështja e pjesëmarrjes së kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale duhet të zgjidhet, megjithatë nuk ka informacione se kur do të dakordohen partitë politike për miratimin e ligjit. Gjatë brifingut të sotëm me gazetarët, ai tha se, nëse kjo çështje nuk zgjidhet deri në pushimin veror të Kuvendit, atëherë mbetet pas pushimeve, përkatësisht deri në fund të muajit gusht. Ai tha se në 10 ditët e parë të gushtit pritet të shpallet data e zgjedhjeve lokale.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Siç e dini, rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese ishin të miratohej një Kod i ri Zgjedhor, i cili është në proces, por nuk mund ta miratojmë, pasi në mars shfuqizoi nenet që kërkonin që kandidatët e pavarur të kishin një numër më të madh nënshkrimesh për të kandiduar në zgjedhje, por tani, në fund të korrikut, kushtet për miratimin e normave të reja nuk janë përmbushur. Pati dakordësi nga partitë kryesore, ndërsa BDI dhe Levica ishin kundër. Nëse i kemi kushtet, do ta votojmë deri në fund të këtij muaji, nëse jo, nuk e di. Do të duhet të vazhdojmë me vendimet e vjetra për të shkuar në zgjedhje. Do të duhet të gjejmë një zgjidhje”.
Në lidhje me propozim ligjin për përfaqësim të drejtë, të cilin Qeveria do ta dërgoj për mendim në komisionin e Venedikut, Gashi tha se, është më mirë që t’i absolvojnë të gjitha dilemat para se të fillojë procedura legjislative.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Qeveria, shumica parlamentare duan të shqyrtojnë të gjitha mundësitë, të bëjnë të gjitha konsultimet e mundshme, këtu e kam fjalën edhe për Komisionin e Venecias, në mënyrë që kur të vijë puna në Parlament, të mos e kthejmë mbrapsht, por të jetë një procedurë përfundimtare. Nuk do të thotë që do ta pranojmë ashtu siç është, por të hyjë në procedurën parlamentare me sa më pak dilema, aq më mirë. Mendoj se është më mirë si për deputetët ashtu edhe për Parlamentin”.
Ai po shtu njoftoi se, është shpallur konkursi për Avokat të ri të Popullit në vendin e Naser Zyberit, të cilët iu ndërpre funksioni për shkak të përmbushjes së kushteve për pension. /SHENJA/