(VIDEO) Kamerat e “Safe City” nuk i kapin dot të dehurit
Alkooli mbetet një nga armiqtë më të mëdhenj të sigurisë rrugore në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse sistemi i ri “Qyteti i Sigurt” ka ulur në mënyrë drastike shpejtësinë dhe shkeljet e semaforit të kuq, kamerat nuk mund të zbulojnë shoferët e dehur, nga ku ky rrezik varet ende vetëm nga ndërgjegjësimi i shoferëve dhe kontrollet e policisë rrugore me një alkomatent.
Statistikat për katër vitet e fundit dhe nëntë muajt e parë të vitit 2025 tregojnë një rritje shqetësuese të drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur në qytetet kryesore.
SHKELJET PËR SHKAK TË ALKOOLIT
“Shkupi tradicionalisht është në krye: nga 2,450 shkelje të regjistruara në vitin 2021, numri u rrit në 4,000 në vitin 2023. Rritje e ngjashme u regjistrua në Kumanovë (nga 1,180 në 1,905), Strumicë (nga 818 në 1,626) dhe Veles (nga 978 në 1,407). Ohri është i vetmi qytet i madh ku u regjistrua një rënie e lehtë në vitet 2024 dhe 2025 pas një kulmi prej 1,110 shkeljesh në vitin 2023”.
Vetëm në periudhën janar – shtator 2025, u regjistruan 7,355 shoferë të dehur në të gjithë vendin, shumica e të cilëve ishin përsëri në Shkup (1,312), Kumanovë (1,104) dhe Strumicë (1,081).
Ndryshe nga alkooli, sistemi “Qytet i Sigurt” tashmë po jep rezultate të dukshme. Kujtojmë se në 24 orët e para të periudhës së testimit më 1 dhjetor, kamerat regjistruan 110,000 shkelje, por të nesërmen (2 dhjetor) numri ra në 50,652 – një përgjysmim vetëm në një ditë. Nga këto, 48,861 ishin për tejkalim shpejtësie, 1,366 për kalim të semaforit të kuq dhe 425 për automjete të paregjistruara. Shpejtësia më e lartë e regjistruar ishte 209 km/orë. Kujtojmë po ashtu se gjatë dhjetorit, shoferët marrin vetëm paralajmërime. Nga janari i vitit 2026, sistemi do të hyjë në zbatim të plotë, pa tolerancë dhe me gjoba në përputhje me ndryshimet e fundit në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor. Për momentin, kamerat mbulojnë Shkupin, Tetovën, Kumanovën dhe autostradat përgjatë korridoreve 8 dhe 10, dhe deri në mesin e vitit 2026, i gjithë territori i vendit do të jetë nën mbikëqyrje.
Anida Murati /SHENJA/

