(VIDEO) Jeni Xhamia, monument tipik i arkitekturës osmane, po e humb rolin e saj historik si qendër e lutjeve
Jeni Xhamia e njohur edhe si Xhamia e Kadi Mahmud Çelebiut, u ndërtua në vitin 1558 nga Mahmud Çelebiu, një kadi i njohur që shërbeu në Vilajetin e Manastirit. Si një prej monumenteve më të rëndësishme historike, xhamia përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës osmane. Xhamia ka një kupolë të mbuluar me plumb, ndërsa struktura përbëhet nga një bazament katror me një kupolë dhe një minare të lartë prej 40 metrave. Muret janë ndërtuar me gurë, ndërsa hajati është 14,20 metra i gjatë dhe 10 metra i gjerë dhe është i mbuluar me dy rreshta me tre kupola.
Përveç funksionit të saj fetar, historikisht Jeni Xhamia ka shërbyer si një qendër e rëndësishme kulturore dhe sociale për myslimanët në Manastir. Përveç xhamisë këtu funksiononte një kompleks i gjerë që ka përfshirë edhe një Medrese.
Medreseja ishte e
pajisur me një bibliotekë që përmbante libra të rëndësishëm të asaj kohe, duke ofruar burime të vlefshme për studentët dhe studiuesit. Për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të këtyre institucioneve, Kadi Mahmud Çelebiu i dedikoi vakëfe të ndryshme, duke përfshirë dyqane, shtëpi, magazina, shumë toka bujqësore dhe një han.
Pas rënies së Perandorisë Osmane dhe gjatë periudhës komuniste në Jugosllavi, shumë objekte fetare, përfshirë Jeni Xhaminë, u sekuestruan nga shteti. Të gjitha objektet rreth xhamisë, përfshirë edhe varrezat myslimane u shkatërruan dhe rrafshuan duke u ndërtuar sheshi dhe parku i Manastirit. Xhamia në fillim shërbeu si depo për materiale të ndryshme ku në fillim të viteve 60-ta u transformua në një Galeri arti, duke humbur funksionin e saj origjinal si vend adhurimi për myslimanët. /SHENJA/