(VIDEO) Janevska: Abetarja e përbashkët shqipe mund të përdoret si material ndihmës
Në fillim të vitit shkollor, abetarja e unifikuar shqipe u promovua nga ekspentë të koalicionit qeverisës VLEN, ndërsa në përfundim të gjysmëvjetorit të parë, ajo ka shkaktuar përplasje ndërmjet partive shqiptare. Në këtë debat është përfshirë edhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, të cilës nuk i pengon të përdoret Abetarja shqipe, pasi thotë se është material ndihmës.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Ministri Jeton Shaqiri së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, abetaren shqipe, e miratuan si material ndihmës, nuk është libër. Jashtë këtij vendit nuk e di çfarë është, në vendin tonë është material ndihmës dhe nuk ka pengesë që të përdoret më tej, derisa nuk vendosim që të kemi material tjetër”.
E, nga koalicioni VLEN theksojnë se nga koha që po qeverisin ata, për herë të parë në vendin është bërë shpërndarja e Abetares së unifikuar te nxënësit në gjitha shkollat shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
VLEN
“Abetarja e unifikuar mund të jetë një hap pozitiv në përmirësimin e cilësisë së mësimit të gjuhës amtare, por sqarojmë që ajo kërkon një implementim të kujdesshëm dhe të drejtë, i cili nuk duhet të ndikohen nga agjenda politike e asnjë partie, përfshirë BDI-në non grata. Arsimimi duhet të mbetet një prioritet nacional, pa asnjë ndikim të drejtpërdrejtë nga politikat e ngushta partiake për interesa klanore”.
Megjithatë, nga partia opozitare BDI akuzojnë VLEN-in se po mashtron opinionin. Sipas tyre, Abetarja është ndaluar me ligj, ndërsa shtojnë se deklaratat e VLEN-it për abetaren e unifikuar janë përpjekje të kota për të fshehur të vërtetën dhe për të manipuluar opinionin publik.
BDI
“E vërteta është e qartë dhe e dokumentuar: Ligji i miratuar prej tyre ndalon përdorimin e abetares së unifikuar shqiptare. Sipas nenit 10 paragrafit 2, të ligjit, “për lëndët e gjuhës dhe kulturës të komuniteteve, përfshirë ato për herë të parë të futura në arsim, tekstet duhet të hartohen nga shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo dispozitë eliminon mundësinë e përdorimit të teksteve të hartuara në bashkëpunim me vendet tjera, përfshirë abetaren e unifikuar, një arritje madhore që garanton standardizimin dhe zhvillimin e gjuhës amtare”.
Nga BDI gjithashtu deklarojnë se Abetarja është një simbol i përbashkët kombëtar që garanton barazi dhe cilësi në arsimin shqip, duke u siguruar nxënësve mundësi të barabarta për të mësuar gjuhën amtare në standard të lartë.
Samir Mustafa /SHENJA/