(VIDEO) IRL zbulon emra të rinj të përfshirë në rastin e Koçanit

Raporti i fundit i Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL), i quajtur “ KOÇANI – Kompromisi ynë moral” me video-pamje të papublikuara deri më tani , dokumente-dëshmi të reja, rrëfime të trishta të të mbijetuarve nga tragjedia e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan dhe lot të familjarëve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga kjo tragjedi, hapën edhe një herë plagën e natës së kobshme e cila mori shumë jetë të reja si dhe nxori në pah dëshmi të reja të cilat ngritën dyshime se disa inspektorë tatimorë dhe përfaqësues të MPB-së janë të përfshirë në çështjen e tragjedisë në Koçan ndërkaq nuk janë të përfshirë në lëndët e prokurorisë.
Në materialet e dorëzuara në IRL nga “informatorët” janë publikuar mesazhet e gjetura në telefonët e pronarëve të diskotekës “Puls” me inspektorë të ndyshëm tatimor, inspektorë policor dhe përfaqësues të tjerë policor të cilët kanë bashkëpunuar me pronarët e diskotekës me qëllim që e njejta ta kryej veprimtarinë në mënyrë jo-ligjore. Pronarët vazhdimisht janë njoftuar për kontrollet e realizuara nga institucionet kompetente, disa nga inspektorët kanë qenë “mysafirë nderi” në mbrëmjet e kësaj diskoteke madje shpesh edhe kishin pranuar mito, dhurata nga pronarët për shkak të shërbimeve që i kryenin.
Emrat e inspektorëve të publikuar në raport janë: Vesna Kuzmanovska, Dragan Paunov dhe Dule Dimitriev. Siç thonë nga IRL, Dragan Paunov është vëllau i kryetares së gjykatës Penale të Shkupit Daniella Dimovska, gjykatë në të cilën do të zhvillohet procesi i gjykimit për rastin e tragjedisë dhe se puna profesionale e Dimovskës është e lidhur ngusht me VMRO-DPMNE-në.
Në fund të kësaj storie qëndrojnë deklaratat e të lënduarve nga kjo tragjedi dhe të familjarëve të të vdekurve të cilët të dëshpëruar dhe plot mllef thonë se nuk kanë aspak shpresa në sistemin e drejtësisë në vend dhe se nuk presin që ky rast ta mer dënimin e duhur.
Tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan ka ndodhur më 16 mars të këtij viti ku humbën jetën 62 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/