(VIDEO) Iran, rritet në 787 numri i të vdekurve nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit
Kryeqyteti i Iranit, Teherani, përjetoi sot një valë të re shpërthimesh, numri i iranianëve të vdekurve nga sulmet e vazhdueshme SHBA-Izrael ndaj Iranit është rritur në 787.
Sulmet kanë vazhduar edhe në Liban, ku të paktën 52 persona u vranë dhe mbi 150 të tjerë u plagosën. Ushtria izraelite gjithashtu filloi një inkursion tokësor në jug të vendit të martën herët.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) konfirmoi sot dëmtimin e ndërtesave hyrëse në Impiantin nëntokësor të Pasurimit të Karburantit Natanz të Iranit, mes sulmeve ajrore SHBA-Izrael. Megjithatë, IAEA shtoi se nuk priten pasoja radiologjike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei tha se lufta “nuk u iniciua nga Irani, zgjedhja e të cilit ishte diplomacia” dhe se lufta do të përfundojë “kur të ndalet agresioni”.
ESMAEIL BAGHAEI, ZËDHËNËS I MINISTRISË SË JASHTME TË IRANIT
“Irani është betuar të luftojë me të gjithë forcën tonë në këtë betejë. Vëmendja është përqendruar kryesisht në mbrojtjen e vendit nga sulmet. Kemi pasur shumë mesazhe kontradiktore dhe mashtruese gjatë një viti e gjysmë të kaluar. Tani është koha për luftë dhe për të mbrojtur atdheun. Çdo gjë që na shpërqendron vëmendjen duhet të lihet mënjanë”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se lufta e vazhdueshme e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit nuk do të jetë e pafundm. Netanyahu e përmendi Arabinë Saudite si një vend që ai mendon se do të përfitojë ndjeshëm nga rënia e regjimit aktual iranian.
BENJAMIN NETANYAHU, KRYEMINISTËR I IZRAELIT
“Shkatërrimi i regjimit iranian do të hapte rrugën për shumë traktate paqeje me vendet e tjera muslimane në rajon. Ne do të krijojmë kushtet së pari që populli iranian të marrë kontrollin e fatit të tij, të formojë qeverinë e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike, e cila do të krijojë një Iran krejtësisht të ndryshëm”.
Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kritikuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer për rolin e tij në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.
“Nuk ka qenë ndihmues. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë ai për gazetën “The Sun”. Të hënën, Starmer tha se qeveria e tij “nuk beson në ndryshimin e regjimit nga ajri”.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se po bëjnë përpjekje intensive me diplomacinë e saj të orientuar drejt paqes “për të arritur zgjidhje të drejta dhe të barabarta për problemet përmes dialogut dhe negociatave”.
Irani deri më tani ka nisur 15 valë sulmesh me raketa dhe dronë në Izrael dhe në asetet amerikane në rajon, duke përfshirë Bahreinin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë, Irakun, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite.
Teuta Buçi /SHENJA/

