(VIDEO) Inspektorët mbyllën disa markete, merrnin marzha deri në 70 përqind

Inspektorati shtetëror i tregut ka sanksionuar tetë kompani për shkak të çmimeve shumë të larta. Nga 365 mbikëqyrjet e realizuara në tregtinë me pakicë dhe 64 në tregtinë me shumicë, janë konstatuar 36 parregullësi, ndërsa dënime më të mëdha kanë marrë tetë subjekte juridike, prej të cilëve tre markete, një barnatore dhe tre importues të mëdhenj të pemëve dhe perimeve, të cilat janë mbyllur për 15 ditë pasi nuk kanë respektuar masat e marzhit të qeverisë.
MARKETING
Vlatko Stojkoski, Drejtor i ISHT-së
“Me këtë janë konstatuar 36 parregullsi dhe janë lëshuar urdhërpagesa për kundërvajtje në vlerë të përgjithshme prej 42.000 euro. Kontrollet kanë treguar se, disa nga këto subjekte kanë realizuar marzha edhe deri në 70 përqind, që i tejkalon ndjeshëm kufizimet e përcaktuara. Inspeksionet konstatuan parregullësi në punën e tetë objekteve juridike, te të cilat marzhat kanë arritur edhe deri në 70 përqind. Përpos mbylljes së përkohshme, këto subjekte do të sanksionohen edhe me dënime në të holla”.
Ai më tej shtoi se, momentalisht po përpunohet edhe 30 lëndë që kanë të bëjnë me markete të ndryshme të mëdha.
Vlatko Stojkoski, Drejtor i ISHT-së
“Inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe zbatojnë kontrolle pa ndërprerje. Momentalisht punojmë në 30 lëndë shtesë të cilat i përfshijnë të gjtiha marketet e mëdha. Edhe përkundër këtyre shkeljeve, masat qeveritare në masën më të madhe respektohen”.
Kujtojmë se, më 11 shkurt Qeveria vendosi të kufizojë marzhat në tregtinë me pakicë për 10 përqind dhe me të njëjtën përqindje në tregtinë me shumicë. Kufizimi i marzhës do të zgjasë deri më 30 prill. Do të përfshihen produktet ushqimore bazë, detergjentet dhe ushqimi për fëmijë.
Ndërkaq, ndryshimet e reja ligjore parashohin që, marketet që kanë më shumë se një pikë të shitjes, të publikojnë çmimet në internet për secilën pikë shitjeje, ndërsa parashihen edhe gjoba për tregtarët që nuk do të respektojnë ligjin.
Teuta Buçi /SHENJA/