(VIDEO) Inspektorët e gjuhës pesë muaj pa paga, pushteti dhe opozita me variante të ndryshme

Problemi me rrogat e inspektorëve të inspektoratit të gjuhës është bërë temë edhe në Kuvend, pasi sot koordinatorët e të gjitha grupeve parlamentare u takuan me drejtorin dhe inspektorët të cilët vazhdojnë të mos marrin rroga dhe vazhdojnë të kenë probleme me sigurimin shëndetësorë.
MARKETING
Pavarësisht takimit, partitë politike vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta.
Koordinatori i VLEN, Bekim Qoku tha se VLEN po edhe shumica parlamentare janë të interesuar të gjejnë zgjidhje sa më të shpejtë. Sipas Qokut, qëllimi është që sa më shpejt inspektorët të marrin rrogat e tyre që nuk i kanë marë tashmë pesë muaj.
BEKIM QOKU – VLEN
Përpiqemi të mos e politizojmë krejt këtë çështje në kurriz dhe hallin e punonjësve që punojnë aty. Jemi shumë të intersuar të gjejmë zgjidhje, nuk dëshirojmë të krijojmë pikë politike nga hallet e të tjerëve. Tani në qoftë se dikush, ne jemi të interesuar që të gjejmë zgjidhje sa më të shpejtë. Subjektiviteti juridik i inspektoratit mbetet në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se mjetet janë, pritet vetëm miratimi i ligjit që për momentin është bllokuar në Kuvend e i cili këtë inspektorat e dërgon nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë.
NIKOLLA MICEVSKI – VMRO – DPMNE
“Dikujt i përshtatet kjo situatë, dikush dëshiron që ta vazhdoj këtë kaos, respektivisht të politizojë këtë çështje duke e ndërlidhur këtë situatë me ligjin e gjuhëve me të cilin realisht nuk ka asnjë lidhje, me zgjidhjen e problemit me të cilin përballen punonjësit e inspektoratit”.
Blerim Bexheti nga Fronti Europian tha se si grup parlamentarë nuk do ta mbështesin ligjin në fjalë sepse sipas tij, qëllimi i shumicës është që të humbin statusin juridik të këtij inspektorati që lindi në bazë të një ligji të veçantë.
BLERIM BEXHETI – FRONTI EUROPIAN
Çështja është që të humbet statusi juridik i këtij inspektorati që buron nga ligji për gjuhët. Ne edhe njëherë riafirmojmë vendimin tonë se jemi të gatshëm të kontribuojmë që edhe kjo dilemë të hiqet që inspektorët të marrin rroga. Përgjegjësia tani i mbetet shumicës parlamentare…
Për Oliver Spasovskin, ky problem ka lindur si shkak i padijës së shumicës dhe mënyrës se si ata sjellin ligje pa i pasur parasyshë pasojat.
OLIVER SPASOVSKI – LSDM
Jeni dëshmitarë se për çështje të cilat merren vesh, VMRO-VLEN dhe ZNAM nëse duhet mbesin në Kuvend deri në 2 në mesnatë me të vetmen arsye, të përfundojnë punët të cilat atyre u përshtaten. Mjafton të shihni sa ligje janë sjellë me procedurë të përshpejtuar për të vendosur kushte që dikush të emrohet drejtor, kurse gjashtë muaj deri më sot nuk kanë mundur të ulen për të diskutuar për fatin e njerëzve dhe familjeve të tyre që punojnë në këtë inspektoriat.
Krejt në fund, drejtori i Inspektoriatit të Gjuhës, Arsim Idrizi pas takimit tha se ata janë të interesuar që problemi i tyre sa i përket rrogave të zgjidhet sa më shpejtë. Edhe Idrizi po edhe koordinatorët njoftuan se në takim është vendosur që të ritakohen edhe njëherë për të marrë vendimin final.
Mevludin Imeri /SHENJA/