(VIDEO) Incident ndëretnik, tifozët maqedonas rrahën dy nxënës shqiptarë

(VIDEO) Incident ndëretnik, tifozët maqedonas rrahën dy nxënës shqiptarë

Nxënësit 15 dhe 17 vjeçar të cilët të mërkurën pasdite u rrahen brutalisht nga pjesëtarë të tifo grupi “Vojvodët”, kanë shpjeguar në detaje se si ka ndodhur ngjarja e tmershme. Ata sqaruan se ishin duke kthyer në shkollë nga pushimi dhe papritmas janë sulmuar nga një turmë me mbi 20 persona duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore. Dukshëm i frikësuar e i shqetësuar, por edhe me shenja të dhunës në trup, njëri prej fëmijëve të rrahur thotë se sulmuesit ishin maqedonas.

NXËNËSI I RRAHUR

Filluan të na shajnë në gjuhën maqedonase. Nuk ishin të moshës tonë, kanë pasur edhe boks prej hekuri. Nuk jemi rahat për të shkuar në shkollë, sepse jemi të frikësuar me atë që ka ndodhur mbrëmë. Kam parë grupe të tyre edhe herave tjera”.

Ndërkaq, prindi i njërit nxënës që është rrahur nga tifozët, Habil Ismaili, tha se sulmuesit kanë qenë mbi moshën 20 -vjeçare. Sipas tij, zbardhja e ngjarjes nuk duhet të zvaritet, pasi siç tha rrahjet mund të përsëriten.

HABIL ISMAILI, PRIND

Janë sulmuar nga 30 persona ndoshta edhe më shumë. Kemi qenë në polici, janë marrë informacione, fëmijët kanë lëndime. Fëmija im ka lëndime në fytyrë, në hundë, në anën e majtë të kraharorit, brinjtë i ka të dëmtuar, po ashtu edhe nga shpina ka dëmtime, është edhe i gërvishur. Nuk është i rrahur vetëm me shqelma dhe grushte por edhe me diçka tjetër. Kanë përdorur sende të forta sepse ka nishane edhe në ballë”.

Nxënësit janë lëshuar për trajtim shtëpiak, ka njoftuar mjeku i ORL-së, Valdrin Asani.

VALDRIN ASANI, MJEK

Njëri kishte frakturë të eshtrave të hundës pa dislokim me raport të rentgenologut me çka u vërtetua lëndimi që ka, kurse tjetri kishte plasaritje të eshtrave të hundës. Është bërë imobilizimi i eshtrave të hundës u dha trajtim mjekësor dhe janë liruar për trajtim të mëtutjeshëm shtëpiak”.

Asani tha se fëmijët e lënduar kanë pasur edhe thyerje në pjesët e përparme të trupit.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING