(VIDEO) Identifikohen 20 persona që dyshohen se i kanë vënë zjarret

Kryeministri Hristijan Mickoski beson se edhe zjarrvënia në servisin e makinave në Pintia këtë mëngjes, është në vazhdën e zjarrvënieve të qëllimshme, nga qendra të fuqishme, që synojnë destabilitetin e vendit. Ai bëri me dije se Ministria e Punëve të Brendshme ka identifikuar rreth 20 persona për të cilët ka dyshime të bazuara se ata qëndrojnë pas zjarreve. Ai përsëriti qëndrimin se ka qendra pushteti që po përpiqen të mbjellin frikë dhe panik tek qytetarët para zgjedhjeve.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Janë identifikuar rreth njëzet persona për të cilët ka dyshime të arsyeshme se ata qëndrojnë pas këtij procesi. Në të njëjtën kohë, kemi pasur raportime të caktuara që kemi mbledhur në ditët e fundit dhe në një veprim të koordinuar, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mjedisit do të veprojnë në ditët në vijim, kështu që për fat të keq ka struktura që po përpiqen të sjellin paqëndrueshmëri dhe trazira në këtë mënyrë, por siç thashë, ata do të komplotojnë, do të vjedhin, do të mbjellin, ne do të punojmë ndershmërisht, do të luftojmë dhe në fund do të fitojmë përsëri”.
Kryeministri bëri thirrje që të bëhen ndryshime ligjore, të cilat zjarrvënien do ta klasifikojnë si terrorizëm.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Në kuadër të procedurës parlamentare, diskutova me koordinatorin e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së që urgjentisht të bëhen ndryshime në ligje që do ta kualifikojnë zjarrvënien si akt terrorizmi, dhe hedhja e mbeturinave aty ku nuk e ka vendin do të jetë një tjetër vepër penale e dënueshme me burgim prej më shumë se pesë vjetësh”.
Rreth orës 04 të mëngjesit, është shkaktuar një zjarr në servisin e makinave në zonën e Kamenikut, në Pintia. Në videon që po qarkullon nëpër rrjete sociale, shihet një person të maskuar duke derdhur lëng të ndezshëm mbi disa makina dhe duke u vënë flakën.
Këtë periudhë, për një kohë të shkurtë, kanë ndodhur shumë zjarre në rajonin e Shkupit, ku janë djegur deponi, servise makinash e fabrika me mbetjë të rrezikshme.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/