(VIDEO) Hulumtim i ISHP-së, çdo i dhjeti adoleshent ka marrë ilaçe kundër dhimbjes për t’u ndjerë “high”
Pothuajse 10 për qind e nxënësve të shkollave të mesme të moshës 15 dhe 16 vjeç në Maqedoninë e Veriut kanë përdorur ilaçe kundër dhimbjes me qëllim arritjen e ndjenjës së “high”, tregojnë rezultatet më të fundit të një hulumtimi të Institutit të Shëndetit Publik. Hulumtimi, i realizuar me mbi 2.800 nxënës, ngre çështje serioze për rritjen e zakoneve të rrezikshme tek të rinjtë.
Sipas të dhënave, 10,1% e nxënësve kanë pranuar se kanë marrë analgjetikë pa nevojë mjekësore, ndërsa 6,6% kanë përdorur sedativë ose qetësues pa recetë. Ekspertët paralajmërojnë se ky lloj keqpërdorimi është veçanërisht i rrezikshëm, pasi ilaçet shpesh perceptohen si më “të sigurta” se drogat dhe janë lehtësisht të disponueshme në shtëpi.
Sa i përket kanabisit, 5% e nxënësve kanë deklaruar se e kanë përdorur të paktën një herë në jetë, 4,3% gjatë vitit të fundit dhe 2,6% gjatë muajit të fundit. Edhe pse këto shifra kanë mbetur relativisht të qëndrueshme gjatë 15 viteve të fundit, ISHP vlerëson se kanabisi mbetet pjesë e “normalizuar” e sjelljes së rrezikshme tek adoleshentët.
Përdorimi i drogave më të rënda si kokaina, amfetaminat dhe ekstazia është nën 2%, por shqetësues mbetet fakti se një pjesë e nxënësve fillojnë përdorimin e kanabisit në moshën 13 vjeç ose edhe më herët, më shpesh djem sesa vajza.
Hulumtimi zbulon gjithashtu boshllëqe serioze në njohuri. Ndërsa alkooli dhe cigaret njihen si të rrezikshme, cigaret elektronike dhe substancat e reja sintetike shpesh nuk konsiderohen të rrezikshme. /SHENJA/

