(VIDEO) Hulumtim, 38% e adoleshentëve janë duhanpirës

(VIDEO) Hulumtim, 38% e adoleshentëve janë duhanpirës

Sipas hulumtimeve më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjendja e përdorimit të duhanit në vend është shqetësuese. Rreth 45,4% e popullsisë së rritur janë duhanpirës aktivë, ndërsa 15,6% janë ish-duhanpirës. Jo-duhanpirës, pra persona që kurrë nuk kanë provuar produkte të duhanit, janë 39%. Kjo shkallë e duhanpirësve aktivë është dukshëm më e lartë se mesatarja evropiane prej 19,7%, por e ngjashme me atë të vendeve të Ballkanit. Sipas të dhënave, një duhanpirës aktiv në Maqedoni konsumon mesatarisht deri në 18 cigare në ditë, ndërsa shifra më e shpeshtë është rreth 20 cigare. Më shumë cigare zakonisht pinë meshkujt.

Gjendja te të rinjtë është gjithashtu shqetësuese. Sipas hulumtimit të ESPAD (Projekti Evropian i Anketimit në Shkolla për Alkoolin dhe Droga të Tjera), 38% e adoleshentëve të moshës 15 dhe 16 vjeç kanë provuar cigare, ndërsa 21% kanë provuar edhe cigare elektronike. Hulumtimet tregojnë se 7,7% e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç janë duhanpirës aktivë.

Përdorimi i duhanit dhe produkteve të duhanit në Republikën e Maqedonisë së Veriut rregullohet me disa ligje, ndër më të rëndësishmet janë Ligji për Mbrojtje Shëndetësore, Ligji për Mbrojtje nga Duhanpirja dhe Ligji për Kontrollin e Duhanit dhe Produkteve të Ngjashme. Përveç kësaj, në vitin 2006 Ministria e Shëndetësisë nënshkroi Konventën Kornizë për Kontrollin e Duhanit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila synon kufizimin sistematik të përdorimit të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Hulumtimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se zgjidhjet ligjore të deritanishme kanë pasur efekt të kufizuar për shkak të zbatimit të paqëndrueshëm dhe mbikëqyrjes së dobët. Nevojiten ndryshime shtesë ligjore që do t’i rregullojnë më qartë dhe më rreptë të gjitha aspektet e përdorimit, shitjes dhe promovimit të produkteve të duhanit.

Projektligji , i cili së fundmi është nënshtruar debatit publik, prezanton ndryshime serioze dhe rregulla më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik. Risitë kryesore janë ndalimi i plotë i pirjes së duhanit në hapësirat publike dhe të punës, kufizime të rrepta në reklamimin dhe promovimin e duhanit dhe nikotinës, si dhe gjoba të larta për mosrespektimin e dispozitave ligjore. /SHENJA/

 

MARKETING