(VIDEO) Hulumtim, 13,3% e nxënësve të moshës 13 deri në 15 vjeç përdorues të duhanit
13,3% e nxënësve të moshës 13 deri në 15 vjeç janë përdorues të duhanit ose produkteve të ngjashme. Këtë e dëshmon hulumtimi i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për pirjen e duhanit në shkolla. Në këtë hulumtim siç njoftoi ministri Azir Aliu janë përfshirë 4.670 nxënës nga 75 shkolla gjithësej. Hulumtimi tregon se 9% e nxënësve përdorin cigare elektronike, që është më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2016.
AZIR ALIU – MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Shqetësuese janë të dhënat se deri në 57% e të rinjve kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi, ndërsa 55,4% kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit në hapësira të mbyllura publike. Sa i përket qasjes së produkteve të duhanit, anketa tregon se 73,2% e të rinjve që pijnë duhan nuk janë penguar të blejnë cigare për shkak të moshës së tyre“.
Aliu mes tjerash shtoi se përveç ligjit për ndalim të pirjes së duhanit në hapsira të mbyllura, Ministria do të kërkojë edhe ndalimin e shitjes së produkteve aromatike të cilët janë me profil të duhanit. Ministri deklaroi se 86% e nxënësve e mbështesin propozim ligjin për ndalim të duhanit në hapsira të mbyllura publike.
AZIR ALIU – MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Ndalojmë shitjen e produkteve që përmbajnë aroma karakteristike që krijojnë shije të dallueshme ose efekt ndior të dallueshëm nga profili natyror i duhanit. Shijet frutore, të ëmbla, mentol dhe të tjera që maskojnë dëmin dhe e lehtësojnë provën e parë, nuk do të lejohen më për shitje. Së treti, kufizimi i marketingut dhe ekspozimit, do t’i jepet fund targetimit të të rinjve përmes rrjeteve sociale, përmes influencerëve, lojërave dhe platformave të tjera digjitale“.
Aliu tha se produktet e duhanit dhe nikotinës nuk do të ekspozohen më publikisht, por do të mbahen në dollapë të mbyllur. Shtylla e katërt sipas tij, është kufizimi i disponueshmërisë dhe forcimi i kontrollit të shitjes ndaj të miturve.
Mevludin Imeri /SHENJA/

