(VIDEO) Hoxha: Rregulla më të rrepta dhe prag më të ulët të emetimeve
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ka realizuar një brifing me gazetarët ku mes tjerash njoftoi se lufta kundër ndotjes së ajrit do të zhvillohet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, që përfshin kontrollin e ndotjes nga industria, institucionet dhe amvisëritë, si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional lidhur me trafikun, me zero tolerancë ndaj ndotësve.
Ai informoi se ministria ka një plan veprimi afatshkurtër dhe një program afatgjatë të miratuar nga Qeveria, si dhe Ligjin e ri për Kontrollin e Emetimeve, të miratuar në shtator 2025, i cili hyn në fuqi në shtator 2027.
MUHAMED HOXHA, MINISTËR I MJEDISIT
“Ligji parashikon rregulla shumë më të rrepta për lëshimin dhe mbikëqyrjen e lejeve ekologjike të kategorisë A dhe B, detyrimin e industrisë për përdorimin e teknologjisë më të mirë të disponueshme, si dhe përgjegjësi financiare në rast të shkeljeve. Ky ligj është plotësisht i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe është miratuar përmes një procesi gjithëpërfshirës me debat publik”.
Mes tjerash Hoxha njoftoi se nga java e ardhshme do të fillojnë takime me përfaqësuesit e industrive që posedojnë leje ekologjike të kategorisë A, me qëllim që periudha e adaptimit të shfrytëzohet në mënyrën më efektive.
Ai tha se të gjitha lejet e reja ekologjike do të lëshohen sipas standardeve të reja më rigoroze.
Po ashtu, ai propozoi masë të re, “ndotësi paguan”, sipas të cilës industria do të mbulojë shpenzimet për largimin e rrezikut, sanimin dhe kompensimin e drejtë për dëmin e shkaktuar në mjedis.
Mevludin Imeri /SHENJA/

