(VIDEO) Hiqen malet me mbeturina, Shkupi merr frymë më lirshëm
Për javë të tëra, qyteti ishte pothuajse i mbytur nga mbeturinat. Rrugët dukeshin si deponi të hapura, ndërsa era dhe pamja e ndotjes shqetësonin çdo qytetar. Çdo hap ishte një kujtesë e qartë se mjedisi ynë po vuante. Por pas një aksioni intensiv 72-orësh që ndërmori kryetari i sapozgjedhur i Shkupit, Orce Gjorgjievski, shumë kamionë dhe punonjës të Higjienës Komunale u mblodhën në parkingun e sallës Boris Trajkovski për të filluar punën intensive për pastrimin e qytetit nga mbeturinat, nga ku tashmë shihet se pamja ka ndryshuar ndjeshëm. Gjatë këtij aksioni, ekipet komunale dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike kanë pastruar tonelata mbeturinash nga rrugët, hapësirat publike dhe zonat periferike të qytetit. Sot, rrugët e qytetit janë më të pastra, hapësirat publike më të rregulluara dhe qytetarët mund të marrin frymë më lehtë. Megjithatë, kjo është vetëm një përmirësim i përkohshëm, ndërsa sfida për ta mbajtur qytetin të pastër mbetet ende e madhe, nga ku edhe shumë qytetarë theksojnë se nevojitet një kujdes i vazhdueshëm.
Edhe pse qyteti po merr frymë më lehtë pas aksionit, mbetet sfida që të ruhet ky përmirësim. Pastërtia e qytetit nuk varet vetëm nga institucionet, por edhe nga përgjegjësia e çdo qytetari.
Anida Murati /SHENJA/

