(VIDEO) Hapësira rreth Kuvendit zonë sigurie, ndalohen ndërtimet dhe protestat

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me ligj do të mbrojë perimetrin rreth objektit të tij. Kryetari i Kuvendit dhe koordinatorët e grupeve parlamentare të të gjitha partive kanë dorëzuar një propozim ligj me procedurë të shkkurtuar me të cilin kërkohet që sipërfaqja prej 1,5 hektarë që është përreth Kuvendit të shpallet zonë e mbrojtur. Përkatësisht, bëhet fjalë për ligj me të cilin do të rregullohet statusi, sipërfaqja e përgjithshme, kufijtë e tokë, përdorimi, sigurimi, mbikëqyrja dhe rregullimi i çështjeve pronësore – juridike që lidhen me hapësirën rreth Kuvendit. Kjo nënkupton se në të ardhmen në tokën pranë Kuvendit në drejtim të Shtëpisë së ARM-së, do të ndalohen aktivitet ndërtimore, mbajtja e tubimeve publike, protestave ose manifestimeve, fluturimi i dronëve dhe llojeve të tjera të mjeteve ajrore pa pilot në hapësirën ajrore mbi Kuvendin dhe zonën e mbrojtur.
MARKETING
Propozim Ligji
“Zona e mbrojtur është sipërfaqja e hapësirës përreth objektit të Kuvendit me kufi të definuar i cili përfshin tokën dhe hapësirën ajrore, në të cilën hyrja dhe përdorimi janë të kufizuara me ligj për arsye sigurie dhe për shkak të interesave të sigurisë së shtetit. Lartësia e zonës së mbrojtur në vertikalen e kufirit territorial të përcaktuar nga paragrafët (1), (2) dhe (3) të këtij neni është 100 metra. Për çdo parcelë kadastrale, duhet të vendoset një shënim që ajo është pjesë integrale e kufirit të zonës së mbrojtur. (3) Kufiri i zonës së sigurisë i përmendur në paragrafin (1) të këtij neni nuk mund të ndryshohet gjatë miratimit të një plani të ri urbanistik dhe duhet të përbëjë një pjesë integrale të çdo plani të ri urbanistik ose dokumentacioni të planifikimit urbanistik”.
Po ashtu, ligji ndalon shitjen në të ardhmen të kësaj toke që është e shitur aktualisht, por pas hyrjes në fuqi të ligjit, parcela që është e shitur do t’i merret blerësit dhe paratë që ai ka paguar do t’i kthehen atij.
Propozim Ligji
“Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, lejet për ndërtimin e ndërtesave në zonën e mbrojtur të lëshuara deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji do të revokohen, në bazë të këtij ligji. Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, aktet juridike që lidhen me tokën e përfshirë në zonën e shpallur si zonë të mbrojtur, të lidhura deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të ndërpriten në bazë të këtij ligji, dhe Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme do të fshijë shënimet mbi aktet juridike nga libri publik për regjistrimin e të drejtave të pasurive të paluajtshme, sipas detyrës zyrtare”.
Toka shtetërore te Kuvendi ishte shitur në ankand publik në vitin 2013 gjatë kohës së kryeministrit Nikolla Gruevski. Investitori mori miratim për ndërtimin e garazhës në kate në vitin 2014. Leja e ndërtimit u anulua në vitin 2018, por pas ankimimit të investitorit, vendimi i Komunës së Qendrës u anulua. Sipas planit urbanistik, aty planifikohej të ndërtohej garazhë në kate me hyrje nga rruga qasëse mes Kuvendit dhe Shtëpisë së ARM-së.
Teuta Buçi /SHENJA/