(VIDEO) Grubi: Ishte një vendim i vështirë, por i nevojshëm!

Pas futjes së tij në “listën e zezë” amerikane, ish zëvendëskryeministri Artan Grubi ka njoftuar se është tërhequr nga jeta e tij publike. Ai përmes një reagimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ka mohuar akuzat me të cilat ngarkohet. Ai madje tha se, gjithë veprimtarinë e tij publike është angazhuar pa kompromis për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për integrimet euroatlantike si dhe për partneritet strategjik me SHBA-në.
MARKETING
Artan Grubi, ish zëvendëskryeministër
“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë. Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”.
Ndërkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti komentoi dje vendimin e DASH-it, duke thë se nuk i konteston vendimet e DASH-it, ndërsa pret epilogon e gjithë këtij procesi. Ndërkaq, i pyetur se, a do ta largojë Grubin nga partia, pas këtij vendimi, Ahmeti tha se ai është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm dhe nuk ka nevojë ta largojë, pasi siç tha një gjë të tillë Grubi do ta bënte vet.
Kujtojmë se, DASH të hënën publikoi vendimin me të cilin Grubi së bashku me gjykatësin e Apelit, Enver Bexheti u futën në listën e zezë amerikane, për përfshirjen e tyre në korrupsion, përkatërisht për mitmarrje në lidhje me rastet gjyqësore në të cilat akuzohej ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov.
Teuta Buçi /SHENJA/