(VIDEO) Gjykimi për zjarrin në “Puls” nis më 19 nëntor

Pas 7 mujash pritje, dhimbje dhe heshtje institucionale, më 19 nëntor do të fillojë gjykimi për një nga tragjeditë më të mëdha që ka goditur RMV-në, tragjedia e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, zjarr i cili morri me vete 63 jetë të reja dhe la të lënduar 200 të tjerë. Gjykata penale ka caktuar që gjykimi të fillojë më 19 nëntor në orën 9:30 të mëngjesit, ku do të kërkohet përgjegjësi për jetët e humbura dhe të lënduarit të cilët në natën e 16 marsit kishin shkuar për koncertin e grupit të njohur muzikor DNK. Nga gjykata penale kanë bërë të ditur se seanca kryesore për rastin “Koçani” do të mbahet në sallën e gjyqit të burgut të Idrizovës dhe se çështja është caktuar për procedim të mëtejshëm tek gjykatësja Diana Gruevska Ilievska.
GJYKATA PENALE
“Ju informojmë se përveç gjykatësve që janë përjashtuar nga procedimi para vlerësimit të aktakuzës, shtesë janë përjashtuar edhe gjykatëset Tamara Vitllarova-Smilevska dhe Ilina Smiçkovska-Ilievska nga trajtimi i çështjes, për shkak të përmbushjes së dispozitave ligjore, përkatësisht për shkak të njohjes personale me një pjesë të të dëmtuarve”.
Në bankat e të akuzuarve do të ulen 37 të pandehur, të cilët kanë 33 avokatë mbrojtës.
Prokuroria Publike më 13 qershor ngriti akuza kundër 34 individëve dhe 3 personave juridikë për zjarrin tragjik. Të gjithë ishin akuzuar për “vepra të rënda kundër sigurisë publike”.
Për fatkeqësinë e tragjedisë në Koçan familjarët e viktimadhe dhe të lënduarve kanë organizuar qindra marshe protestuese. Ata kanë kërkuar vazhdimisht me ngulm përgjegjësi dhe kanë akuzuar institucionet për neglizhencë dhe përpjekje për të mbuluar fajtorët e vërtetë.
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu në orët e vona të natës, teksa qindra të rinjë ndodheshin brenda objektit. Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa mungesa e daljeve emergjente dhe e pajisjeve të sigurisë u bënë fatale. Disa humbën jetën në vend, të tjerët në spital, ndërsa 200 të tjerë mbetën rëndë të lënduar të cilët gjatë kohë janë mjekuar në spitale.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/